Kryeministri Berisha, pas kthimit nga Franca, ku zhvilloi një vizitë me ftesë të Presidentit Nikola Sarkozy, dha sot në mbrëmje në një konferencë për shtyp.
“Në orët e para të mëngjesit, u ktheva nga një vizitë shumë e rëndësishme që pata në Paris, ku unë shkova me ftesë të Presidenti të Republikës franceze Nikola Sarkozy.
Presidenti Sarkozy më rezervoi një pritje shumë të ngrohtë dhe shumë miqësore. Në këtë takim thellësisht miqësor, diskutuam së bashku mbi projektet e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian, reformat e thella të ndërmarra nga Shqipëria për të merituar procesin e integrimit në BE, diskutuam gjerësisht mbi bashkëpunimin bilateral, para së gjithash, në fushën ekonomike, por edhe në atë kulturore, pasi dihet se Shqipëria ka një vokacion të qartë frankofonik.
Ishte një rast i veçantë për mua për t’i shprehur Presidentit Nikola Sarkozy dhe vendit të tij mirënjohjen më të thellë për ftesën dhe mikpritjen e rezervuar, për mbështetjen që i dha Shqipërisë në anëtarësimin e plotë në NATO, në Samitin e Strasburgut. Presidenti Sarkozy, pasi më bëri urimet e tij më të përzemërta për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, pati edhe ai vlerësimin se kjo është vërtet një arritje historike për Shqipërinë. Duke pasur parasysh trashëgiminë jashtë imagjinatës, do shprehej, ju keni kaluar në vështirësi të mëdha, por ia dolët të meritoni anëtarësimin në NATO.
Presidenti Sarkozy do të më garantonte mua dhe mbarë qytetarët shqiptarë se Franca dhe ai personalisht mbështesin plotësisht Shqipërinë në rrugën e integrimit të saj në BE dhe në mënyrë tekstuale, do të shprehej se për ju ky proces është i parikthyeshëm dhe se mbështeste, ndonëse rrethanat janë të njohura, si procesi i Lisbonës, kriza globale, aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit.
Presidenti Sarkozy më garantoi plotësisht se do të vizitojë Shqipërinë, premtim të cilin ma kishte dhënë edhe më parë, në takimet që kisha pasur gjatë samiteve, të zhvilluara gjatë këtyre 2-3 viteve të fundit. Ai u kërkoi këshilltarëve të tij më të afërt të përcaktojnë në axhendën e tij vizitën në Shqipëri. I thashë se kjo do të jetë një ditë historike, sepse ju do të jeni presidenti i parë në historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve që do të vizitoni vendin tim dhe dua t’ju siguroj se do gjeni aty ndjenjat më miqësore. Mesazhi që unë do ju përcjell shqiptarëve se ju e konsideroni procesin e integrimit të Shqipërisë të parikthyeshëm dhe vlerësimin e madh që keni për reformat e përpjekjet që ka bërë Shqipëria dhe shqiptarët për të arritur të meritojnë këtë besim, lajmi për vizitën tuaj të ardhshme, të gjitha këto e bëjnë këtë vizitë jashtëzakonisht të frytshme.
Me këtë rast, dua edhe një herë t’i shpreh mirënjohjen më të thella Presidentit Sarkozy për mikpritjen e shkëlqyer që më rezervoi mua e delegacionit tim.
Gjatë qëndrimit në Paris, miku im, që nga vitet ’91 deri më sot, Bernard Kushner, ministri i Punëve të Jashtme të Francës më priti në një takim të veçantë dhe shtroi një drekë. Me shefin e Ministrisë së Punëve të Jashtme franceze patëm një diskutim të zgjeruar si për reformat e rezultatet e tyre në Shqipëri, projektin e integrimit të Shqipërisë në BE, lëvizjen e lirë të shqiptarëve, inkurajimin e biznesmenëve francezë për të investuar në Shqipëri, një diskutim të zgjeruar mbi zhvillimet në rajon. Në takimin me ministrin e Jashtëm të Francës Kushner, unë kam pasur identitet të plotë të pikëpamjeve. Edhe ministrit të Jashtëm i kërkova që të inkurajojë biznesin francez të vijë e të investojë në Shqipëri. Në qoftë se Presidenti Sarkozy më siguroi se në vizitën e tij do të ketë një prani të fuqishme të biznesit Francës që do ta shoqërojë në këtë vizitë, ministri i Jashtëm, siç do të deklaronte para mediave, do të thërriste së shpejti në Ministrinë e Jashtme një grup të gjerë biznesmenësh, me porosinë e veçantë të studiojnë mundësinë e investimeve në Shqipëri. Bernard Kushner mbështet plotësisht, si dhe Presidenti Sarkozy, projektin europian të Shqipërisë, aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit, liberalizimin e vizave në përputhje me skedulën dhe plotësimin e kushteve. Ministri i Jashtëm Kushner më premtoi se do të vijë në Shqipëri, ta vizitojë atë.
Unë, gjithashtu, gjatë qëndrimit në Francë pata një takim të zgjeruar me Shoqatën e Bizneseve të Mëdha të Francës, MEDEF. Përreth dy orë, unë paraqita potencialet e mëdha të Shqipërisë për biznesin francez. U tregua një interes i veçantë dhe shpresoj që kjo bisedë e zgjeruar, e cila u dekorua nga dëshmitë që bënë aty biznesmenë francezë, të pranishëm në Shqipëri. Ata bënë një avokaturë të shkëlqyer të kushteve e të mundësive që i ofron Shqipëria biznesit dhe klimës së tij.
Përmasa shumë të mëdha në këtë vizitë patën edhe ekspozetë e mia para mediave më të mëdha franceze. Kanali kryesore i Francës transmetoi ‘live’ intervistën time para Eleezy, sapo dola nga takimi. Kanale të tjera televizive më të fuqishme të informacionit si 24 orë-shi, iTele etj.. morën intervista të zgjeruara, për t’i transmetuar ato, në mënyrë të përsëritur, dhe shpërndarë në të gjitha rrjetet televizive franceze e më gjerë.
Siç e shihni, ishte një vizitë e shkurtër, por aq sa ishte e shkurtër, vizita ime në Francë po aq ishte miqësore, intensive dhe e frytshme. Edhe një herë, shpreh mirënjohjen ndaj mikpritësve të mi, ndaj ambasadorëve, zonjës Daviet, ambasadore e Francës në Tiranë, zotit Aliçka, ambasadorit të Shqipërisë në Paris për punën e mrekullueshme në përgatitjen e kësaj vizite të shkëlqyer.”
Pyetje: Zoti Kryeministër, sipas shtypit të shkruar, thuhet se Kryeministri e ka blerë vizitën në Francë në këmbim të disa helikopterëve. Ç’mund të na thoni për këtë?
Kryeministri Berisha: Ky është trillim i turpshëm i Edi Ramës, i cili nga ora e Bushit, kalon tek shpifje dhe trillime të tilla. Të jeni të bindur se Presidenti Nikola Sarkozy më ftoi mua në Eleezy, para së gjithash e mbi të gjitha, për të shprehur mbështetjen e tij të plotë e totale ndaj këtij vendi, respektin dhe dashurinë ndaj këtij kombi, por edhe një njohje miqësore që kemi. Kjo vizitë u bë në këtë moment, sepse, e vërteta është se jam përpjekur shumë më tepër që Presidenti të vijë në Shqipëri. Unë kam pasur një qëllim, por, meqenëse axhenda e tij nuk e lejon, më ftoi mua që të shkoja. Ndërsa, ky zotëri që çdo sukses të kundërshtarit të tij do ta përjetojë si ferr, si tmerr e si disfatë, pavarësisht se kjo është edhe interesi më i mirë i vendit dhe kombit të tij, përdor në mënyrë barbare median. Ju e dini edhe historinë për lajmin e orës së Presidentit Bush, sesi u dërgua mesazhi që, meqenëse nuk iu bë vizita në bashki, ta nxinte e të bënte një flluskë. Mund të them se edhe kjo është si ‘ora e Bushit bis’.
Pyetje: Trojka evropiane dhe ambasadori i SHBA-ve Uidhers, të shqetësuar për krizën e çështjes së kartave të identitetit, kanë zhvilluar, ditët e fundit, takime me ju dhe kryetarin e PS, zotin Edi Rama. A jeni i prirur ju, zoti Kryeministër, për ta zgjidhur këtë krizë?
Kryeministri Berisha: Kjo krizë ekziston vetëm në mendjen tuaj dhe të Edi Ramës. Jua indukton ai krizat, se ai vetë është në mënyrë permanente në krizë, ndonëse nuk ka asgjë me ju, por me pronarët tuaj, u jep leje ndërtimi. Prandaj ju nxit juve të përdorni terminologjinë e tij. A e dini se ai është në mënyrë konstante në krizë. Edi Rama është ‘non stop’ në krizë. Një njeri në fakultetet mendore normale nuk do të mund të bënte kurrë atë që bëri, që dha 19 leje nga 28 gjithsej, për vete dhe eftimin e tij. Bëni një pyetje se në cilin regjim në botë mund të ndodhte që kryetari i bashkisë, apo kryetari i komitetit ekzekutiv në diktaturë, të merrte vetë apo t’i jepte vëllaut të tij 19 nga 28 leje të dhëna. Vetëm një njeri që po përjeton një krizë të thellë morale, që e ka zeruar moralin dhe normën, mund t’i lejojë vetes të shpërfytyrohet në këtë mënyrë. Imagjinoni veten në një detyrë shtetërore, kur ligji të thotë ‘konflikt interesi’, nuk do të pranoje kurrë t’i jepje më shumë se dy jo njeriut të afërt, por as edhe një shoqeje. Por ai mori eftimin e tij, pa pyetur fare se ç’ndodhte, pa çarë kokën, njëlloj si në plazh publik, kur ishte ministër, se sytë e gjithë shqiptarëve ishin drejtuar nga ajo mbledhje. U tha shqiptarëve ç’më duhet mua se ç’bëj unë. Pra, nuk ka krizë. Për sa i përket problemit, sot kanë aplikuar 17 400 vetë. Megjithatë është e vërtetë që unë kam diskutuar me ambasadorët, është e vërtetë që ne jemi të hapur, përveç variantit që kemi shprehur dhe opozita është e mirëpritur të japë variantet e saj. Ekspertët po diskutojnë për të gjetur rrugët më të përshtatshme.
Pyetje: Ku është PD-ja në përzgjedhjen e listave për kandidatët për deputetë dhe a do të jenë në këto lista emrat e zotit Mustafaj, Biberaj, kush po i përzgjedh?
Kryeministri Berisha: Të shpreh respektin për pyetjen që bërë, por a mund ta anashkaloj faktin kur kolegia jote në këtë sallë, e porositur nga Edvini, do të më pyeste për licencën dhe pronari i edilit do të përgënjeshtronte se nuk kishte aplikuar kurrë për licencën, ndërkohë që ministri të nesërmen nxori të gjitha dokumentet e aplikimit dhe edili bashkë me edvinin kishin ofruar 5 milion. Këtë e thashë pasi duhet të ekzistojë memoria.
Për sa i përket listave, partia ka një statut, ka forume dhe gjithçka do të procedohet sipas statutit të Partisë Demokratike. PDSH është një parti e strukturuar, ka kryesi, Këshillin Kombëtar dhe ju siguroj se gjithçka do të përcaktohet mbi bazën e këtij statuti.
Pyetje: Zoti Kryeministër, duke parë mbështetjen e Presidentit Sarkozy, mund të thoni se kur është data e aplikimit për në BE dhe a keni marrë nga Presidenti Sarkozy premtime për investime konkrete në Shqipëri nga biznesmenë francezë?
Kryeministri Berisha: Data do t’u njoftohet nesër. Sigurisht unë nuk do të shkoj të aplikoj pa ju njoftuar ju dhe nëpërmjet jush qytetarët shqiptarë. Ky është një standard dhe një detyrim i imi dhe do t’ua njoftoj nesër. Sikundër do të ketë një akt të rëndësishëm.
Ndërsa lidhur me investimet, unë mora siguri të plotë nga Presidenti Sarkozy se ai do të inkurajojë fuqishëm biznesin francez të investojë në Shqipëri, madje, do të shprehej, se në vizitën e tij të ardhshme ai do të shoqërohej nga një delegacion i biznesit të fuqishëm francez. Edhe ministri i Jashtëm Bernard Kushner u kërkoi këshilltarëve të tij të planifikimin sa më shpejt një takim të tij personal me biznesin francez, në mënyrë që t’u kërkonte zyrtarisht që të konsideronin në mënyrën më serioze investimet në Shqipëri, t’i njihte me reformat, për të cilat Kushner do shprehej: zoti Kryeministër, keni ndërmarrë me shpejtësi të jashtëzakonshme reforma që janë dëshmuar shumë eficente dhe kanë ndryshuar vendin. Pra, kudo që shkoj një nga qëllimet më madhore ka në thelb inkurajimin dhe grishjen e investitorëve dhe investimeve në Shqipëri.
25/04/2009