Këshilli i Ministrave miratoi sot, vendimin për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e Malit të Zi, për përcaktimin e pikës së përbashkët të kalimit kufitar “Zatrijebacka Cijevna-Grabon”, për trafikun ndërkombëtar të pasagjerëve dhe për pikën e kalimit kufitar “Çerem-Vranic”.
Kryeministri përshëndeti miratimin e këtij vendimi si një vendim i rëndësishëm, që do të valorizojë dy zona që ndryshimet e këtyre 20 viteve i kanë nxjerrë më të izoluara, Plavën e Gucinë dhe potencialin turistik të një territori që përfshin një kompleks mahnitës natyror Çerem-Vuthaj-Guci- Markovçë-Plavë.
Kryeministri tha se pikat ekzistuese tradicionale të komunikimit duhet të shndërrohen gjithashtu në pika kalimi, pasi shqiptarët kanë një specifikë se “kufizohen nga të gjitha anët me veten e tyre” dhe kjo do të ndihmonte për të lehtësuar lëvizjen e njerëzve dhe flukseve të tregut mes tyre.
Më poshtë, fjala e Kryeministrit në prezantimin e këtij vendimi:
“Në rendin e ditës, sot kemi një seri vendimesh shumë të rëndësishme, por do të theksoja si një nga vendimet e rëndësishme, ratifikimin e marrëveshjes për trafikun ndërkombëtar të pasagjerëve në pikën kufitare Çerem-Vranic. Zoti ministër, të gjitha pikat ekzistuese tradicionale të komunikimit duhet të shndërrohen në pika kalimi. Shqiptarët kanë një specifikë se kufizohen nga të gjitha anët me veten e tyre. Në fakt, doganat, kudo në botë, nuk duan të kenë shumë pika, por ne jemi ndoshta unikë se kufizohemi nga të gjitha anët vetëm me shqiptarë dhe nuk mund të mbajmë të njëjtin qëndrim. Një miku im më tha një ditë se Greqia po i mbyll pikat e saj kufitare në disa vende, por problemi është se ne kufizohemi me shqiptarë dhe detyrohemi t’i hapim. Pas kësaj duhet të fillojnë tratativat me Malin e Zi për pikën e Zogajt, pikë tradicionale e komunikimit të atyre zonave me zonën e Shirokës e Shkodrës. Në mos gaboj kjo mund të jetë një nga më të fundit, por duhet të shihet edhe territori midis Peshkopisë e Librazhdit. Aty ekziston pika e Trebishtit, por të hapen edhe pika kufitare të tjera që lehtësojnë flukset e lëvizjes së njerëzve dhe të tregut. Nuk është se nuk krijohen rrjedhje në dogana, pasi sa më shumë pika, probabiliteti shtohet, por je i detyruar të operosh mbi realitetin.
Pika Çerem-Vranic është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse ka të bëjë me dy zona që ndryshimet e këtyre 20 viteve i kanë nxjerrë më të izoluara, Plava e Gucia. Kjo pikë dhe pas ndërtimit të rrugës, do t’i lejojë ata të arrijnë shumë lehtë në territorin e vendit dhe do ta bëjë më optimiste jetën në Vuthaj, në Guci dhe zonat përreth. Do të bëjë gjithashtu që këto zona të kapen më lehtë nga flukset turistike. Këto janë zona mahnitëse, me peizazhe natyrore të rralla. Këto zona kanë potencial shumë të madh për resorte skish. Çerem, Vuthaj, Guci, Markovçë, Plava do të bëhet një nga komplekset turistike më tërheqëse në Europë. Ndaj autoritetet e tjera duhet të shqyrtojnë çështjen e rrugës. Vendimi i sotëm përbën një zhvillim shumë pozitiv, por duhet të shohim edhe pikën e Zogajt.”
06/03/2012