Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivë e Këshillit të Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Vendime e projektligje tė miratuara nė mbledhjen e Kėshillit tė Ministrave
 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.9975, DATË 28.7.2008, “PËR TAKSAT KOMBËTARE”,  TË NDRYSHUAR”

 Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

 V E N D O S I:

 Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”,  për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

 Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

 

P R O J E K T L I GJ

 PËR

DISA SHTESA NË LIGJIN NR.9975, DATË 28.7.2008, “PËR TAKSAT KOMBËTARE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:

 Neni 1

Pas pikës 7, të nenit 3, “Llojet e taksave kombëtare”,  shtohet pika 8 , me këtë përmbajtje:

“8. Taksa e ambalazheve njëpërdorimshe të plastikës dhe të qelqit.”.

 Neni 2

Pas pikës 7, të nenit 4, “Niveli i taksave kombëtare”, shtohet pika 8, me këtë përmbajtje:

                  “8. a) Taksa e ambalazheve njëpërdorimshe të plastikës caktohet në masën 100 lekë/kg dhe zbatohet si në import, ashtu edhe në prodhimin vendas. Vetëm për industrinë vendase të riciklimit, taksa për ambalazhet, të prodhuara nga riciklimi i mbetjeve plastike të gjeneruara në vend, caktohet në masën 50 lekë/kg.

            Këto ambalazhe e kanë përmbajtjen prej lënde të parë plastike, sipas klasifikimit të dhënë në kapitullin 39 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave në fuqi. Kjo taksë zbatohet për të gjithë artikujt prej plastike njëpërdorimësh që importohen, të përcaktuar në kapitujt, krerët, nënkrerët dhe kodet tarifore të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave, përkatësisht sipas aneksit 1 bashkëlidhur këtij ligji.

            Kjo taksë mblidhet nga administrata doganore në momentin e importit në rastet kur importohen:

 i)         artikuj plastikë njëpërdorimësh për ruajtjen, mbajtjen apo paketimin, sipas aneksit 1, bashkëlidhur këtij ligji;

ii)        mallra të ruajtura apo të paketuara në ambalazh plastik njëpërdorimësh, përkatësisht sipas aneksit 1, bashkëlidhur këtij

     ligji.

            Kjo taksë mblidhet nga administrata tatimore në rastet kur mallrat, sipas aneksit 1, paketohen, ruhen apo ambalazhohen me ambalazh plastik njëpërdorimësh, të prodhuar në territorin e Republikës së Shqipërisë. Administrata tatimore është përgjegjëse për monitorimin e lëndëve të para, garanulateve dhe artikujve gjysmë të gatshëm që përdoren në prodhim.

           Taksa për ambalazhet e prodhuara nga riciklimi i mbetjeve plastike të gjeneruara në vend caktohet në masën 50 lekë/kg, me kusht që subjekti të provojë këtë fakt me anë të kartës teknologjike të prodhimit, deklaratave të importimit të lëndëve të para si dhe dokumentimit të blerjeve të lëndëve të para brenda vendit. Kjo taksë mblidhet nga administrata tatimore në rastet kur mallrat sipas aneksit 1 paketohen, ruhen apo ambalazhohen me ambalazh  plastik të prodhuar nga riciklimi i mbetjeve plastike të gjeneruara në territorin e Republikës së Shqipërisë. Administrata tatimore është përgjegjëse për monitorimin e lëndëve të prodhuara nga riciklimi për qëllime përdorimi të ambalazheve.

      b)  Taksa e ambalazheve njëpërdorimshe të qelqit caktohet në masën 10 lekë/kg dhe zbatohet si në import, ashtu edhe në prodhimin vendas. Këto ambalazhe kanë përmbajtjen prej qelqi, sipas klasifikimit të dhënë në kapitullin 70 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave dhe sipas listës së aneksit 2 bashkëlidhur këtij ligji.

            Kjo taksë do të mblidhet nga administrata doganore në momentin e importit në rastet kur importohen:

 i)        artikuj prej qelqi njëpërdorimësh për mbajtjen apo paketimin, sipas aneksit 2 bashkëlidhur këtij ligji;

ii)       mallra të paketuara apo të ruajtura në ambalazh prej qelqi njëpërdorimësh, sipas aneksit 2 bashkëlidhur këtij ligji.

            Kjo taksë do të mblidhet nga administrata tatimore në rastet kur mallrat, sipas aneksit 2, paketohen, ruhen apo ambalazhohen me ambalazh prej qelqi njëpërdorimësh të prodhuar në territorin e Republikës së Shqipërisë. Administrata tatimore është përgjegjëse për monitorimin e lëndëve të para që përdoren për prodhimin e ambalazheve të qelqit me një përdorim. Mënyra e monitorimit të lëndëve të para që përdoren për prodhimin e ambalazheve të qelqit me një përdorim përcaktohet me udhëzim të ministrit të Financave.”.

 Neni 3

 Pas shkronjës “e”, të nenit 5 “Agjentët e taksave”, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:

 “ë) për taksën e ambalazheve njëpërdorimshe të plastikës dhe qelqit ngarkohen:

 -    Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, nëpërmjet degëve të saj doganore, për vjeljen e kësaj takse në import;

-    Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet drejtorive të saj rajonale, për vjeljen e kësaj takse për prodhimin vendas.”.

 Neni 4
Pas shkronjës “dh”, të nenit 8, “Komisionet që përfitojnë agjentët e taksave”, shtohet shkronja  “e”, me këtë përmbajtje:

 “e) për taksën e ambalazheve njëpërdorimshe të plastikes dhe qelqit, 0 për qind.”.

Neni 5

Dispozitë transitore

 Të gjithë tatimpaguesit, të cilët kanë paguar, pranë administratës doganore, akcizë për ambalazhet e plastikës dhe të qelqit sipas ligjit nr.8976, datë 12.12.2002, “Për akcizat”, të ndryshuar, dhe janë të pajisur me autorizim si tatimpagues akcize dhe kanë magazinë tatimore, në rast të shitjes së produktit (për të cilin është paguar akcizë në import) pas datës 1 tetor 2012 nuk janë subjekt i pagesës së taksave të përcaktuara në nenet 1 dhe 2, të këtij ligji. Administrata tatimore dhe ajo doganore kryejnë verifikimet rast pas rasti.

 Neni 6

 Ky ligj hyn në fuqi më 1 tetor 2012 dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 K R Y E T A R I

 

                                                                                                                             JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)

 

 * * *

 

V E N D I M

 PËR

AUTORIZIMIN E “EVEREST IE”, SH.P.K.-SË, PËR IMPORTIN  E MBETJEVE TË POLIETILENIT, PËR QËLLIME RICIKLIMI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 22, të ligjit nr.8934, datë 5.9.2002, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 49, të ligjit nr.10 463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave

                                                       V E N D O S I:

1.      Autorizimin e “EVEREST IE”, sh.p.k.-së, për importin e mbetjeve të polietilenit me kodin doganor GH 011ex 391510 dhe kodin e Konventës së Bazelit B3-B3010, sipas anekseve 1 e 2, bashkëlidhur vendimit nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen, për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi”.

 

2.      Sasia e mbetjeve të polietilenit që importohet, sipas kodeve të referuara në pikën 1, të këtij vendimi, është 4 500 (katër mijë e pesëqind) tonë.

 

3.      Mbetjet importohen nga vendet e BE-së. Transporti bëhet në rrugë tokësore dhe detare, pasi të jetë plotësuar i gjithë dokumentacioni i nevojshëm ligjor për transportin ndërkombëtar të mbetjeve, si dhe në përputhje me kërkesat e kreut II, të vendimit nr.806, datë 4.12.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave dhe procedurave për importimin e mbetjeve, përpunimin dhe riciklimin”.

4.      Periudha kohore e lejimit të importit të mbetjeve të polietilenit nga  “EVEREST IE”, sh.p.k.-ja, të jetë 1 (një) - vjeçare, periudhë, e cila fillon me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

 5.      Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në zbatim të kërkesave të mësipërme ligjore, të marrë masat e nevojshme për kontrollin e procesit të riciklimit të mbetjeve të polietilenit nga “EVEREST IE”, sh.p.k.-ja, pas miratimit të këtij vendimi, për të siguruar mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit të njeriut.

6.      Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave komunikon, me shkrim, me shtetet eksportuese dhe ato në të cilat do të transitojë kjo sasi e mbetjeve të polietilenit, në përmbushje të kërkesave të Konventës së Bazelit “Për kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjësimin e tyre”, në të cilën Republika e Shqipërisë është palë.

7.      Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

 

               Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 K R Y E M I N I S T R I

 

SALI BERISHA

 

 * * *

 

V E N D I M

 PËR

MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR PËR ZBATIMIN E MARRËVESHJES SË STABILIZIM - ASOCIIMIT, 2012 - 2015, DHE PËRCAKTIMIN E PËRGJEGJËSISË INSTITUCIONALE  PËR PËRAFRIMIN NË LEGJISLACIONIN SHQIPTAR TË ÇDO AKTI TË LEGJISLACIONIT TË BASHKIMIT EUROPIAN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Integrimit, Këshilli i Ministrave

 V E N D O S I:

1.      Miratimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit (PKZMSA), 2012 - 2015, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 2.      Ministria e Integrimit orienton, bashkërendon dhe monitoron zbatimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, 2012 – 2015, (më poshtë PKZMSA, 2012 - 2015), si dhe procesin e shpërndarjes së acquis communautaire për çdo kapitull nga: ministritë, grupet ndërinstitucionale të punës (GNP), të ngritura me urdhrin nr.183, datë 11.12.2009, të Kryeministrit, “Për krijimin, përbërjen dhe funksionimin e grupeve ndërinstitucionale të punës për çdo kapitull të acquis communautaire, duke përfshirë edhe kapitujt e kriterit politik dhe ekonomik”, dhe institucionet e tjera qendrore. Ministria e Integrimit  raporton çdo 3 (tre) muaj në Këshillin e Ministrave për ecurinë e procesit.

 

3.      Ministritë dhe institucionet e tjera qendrore raportojnë pranë Ministrisë së Integrimit, çdo 3 muaj (java e tretë e muajit të fundit), për realizimin e detyrimeve, që rrjedhin nga PKZMSA, 2012 – 2015, dhe për ecurinë e procesit të përafrimit të acquis communautaire.

 

4.      Ngarkohet Ministria e Financave që, në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit, të monitorojë përfshirjen në programin buxhetor afatmesëm të nevojave financiare për zbatimin e përparësive, afatshkurtra dhe afatmesme, të parashikuara në PKZMSA, 2012 – 2015, nga ministritë dhe institucionet e tjera qendrore.

 5.      Brenda 4 (katër) muajve nga  hyrja në fuqi e këtij vendimi, të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore, të cilat janë pjesë e grupeve ndërinstitucionale të punës, të përcaktuara në urdhrin nr.183,                       datë 11.12.2009, të Kryeministrit, nën koordinimin dhe monitorimin e  Ministrisë së Integrimit, të përcaktojnë përgjegjësitë institucionale për përafrimin e çdo akti të legjislacionit të BE-së në legjislacionin e brendshëm.

 

6.      Rregullat më të hollësishme për mënyrën e përcaktimit të përgjegjësive institucionale, për përafrimin e çdo akti të legjislacionit të BE-së në legjislacionin e brendshëm, me propozimin e ministrit të Integrimit, të miratohen nga KNIE-ja, brenda 1 (një) muaji nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

 

7.      Vendimi nr.463, datë 5.7.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit”, i ndryshuar, shfuqizohet.

 8.      Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore, për të cilat në PKZMSA, 2012 – 2015, janë përcaktuar detyra të veçanta për zbatimin e këtij vendimi.

 

               Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * * *
V E N D I M

PER

PROCEDURAT DHE MASËN E TRAJTIMIT TË VEÇANTË FINANCIAR TË PILOTËVE DHE TEKNIKËVE FLUTURUES ME HELIKOPTER, NË PENSION, NË DREJTORINË E PËRGJITHSHME TË POLICISË SË SHTETIT DHE GARDËN E REPUBLIKËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 1, 3 e 8, të ligjit nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.      Punonjësi i Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, në funksionet pilot dhe teknik fluturues të helikopterëve, që trajtohen nga ligji nr.9128,         datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ndryshuar, me daljen në pension duhet të tërheqë nga dega e sigurimeve shoqërore dy formularë kërkese për përfitim, të cilat i dorëzon në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Gardën e Republikës apo në njësinë buxhetore ku ka punuar deri në periudhën e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare, si dhe në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore ku ka vendbanimin.

 2.      Dokumentacioni i plotë për përfitimin e trajtimit të veçantë përgatitet nga strukturat e burimeve njerëzore dhe të financës të njësisë buxhetore, i dërgohet për shqyrtim, sipas përkatësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit apo Gardës së Republikës dhe këto ia dërgojnë drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore.

 3.      Për llogaritjen e trajtimit financiar merret si bazë paga referuese, e njësuar me pagën referuese të funksionit organik të pilotit ose të teknikut aktiv në njësinë e helikopterëve të Policisë së Shtetit ose të Gardës së Republikës, në të njëjtën detyrë me përfituesin, në çastin e lindjes të së drejtës për këtë trajtim financiar.

 Paga referuese për përfituesin përfshin:

 a) pagën bazë për gradë;

b) shtesën për natyrë të veçantë pune e shërbimi;

c) shtesën për vjetërsi në punë;

ç) shtesën për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin;

d) shtesën mesatare të fluturimeve vjetore.

 4.      Ngarkohet Instituti i Sigurimeve Shoqërore për hartimin e udhëzuesit dhe të dokumentacionit tip për zbatimin e këtij vendimi dhe për dhënien e shtesave mbi pension.

 5.      Ngarkohen Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Garda e Republikës për zbatimin e këtij vendimi.

 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

 

 * * *

V E N D I M

PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1 497, DATË 19.11.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHTYPJENE LETRAVE ME VLERË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008,“Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të   ligjit nr.8976, datë 12.12.2002, “Për akcizat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në fund të pikës 1, të vendimit nr.1497, datë 19.11.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohen paragrafët me këtë përmbajtje:

“Kur Shtypshkronja e Letrave me Vlerë nuk ka kapacitet teknologjik për shtypjen e biletave të lojërave të fatit ato mund të shtypen në shtypshkronja brenda ose jashtë vendit, sipas një procedure të përcaktuar me udhëzim të ministrit të Financave.

Me pamundësi të kapacitetit teknologjik nënkuptohet mungesa e software-ve dhe hardware-ve të nevojshëm për shtypjen e biletave të lojërave të fatit.

Me marrjen e kërkesës për shtypjen e biletave të lojërave të fatit, për të cilat Shtypshkronja e Letrave me Vlerë dyshon se nuk ka kapacitetin e duhur teknologjik të shtypjes, ajo mbledh bordin drejtues, i cili analizon ekonomikisht, në mënyrë të hollësishme,  pamundësinë e shtypjes së këtyre biletave dhe argumenton  pamundësinë e kthimit ekonomik, nëse do të investohej për blerjen e teknologjisë së munguar për këto raste. Në përfundim, bordi drejtues i Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë merr vendim për pamundësinë e ofrimit të shërbimit, i cili i komunikohet operatorit kërkues. Në vijim, operatori mund të procedojë me nënshkrimin e kontratës për shtypjen e këtyre biletave në shtypshkronja të akredituara, brenda ose jashtë vendit, dhe vë në dijeni institucionin mbikëqyrës të aktivitetit të tij.”.

  Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe  botohet në “Fletoren zyrtare”.

  K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *

V E N D I M

PËR

AUTORIZIMIN E “RAMETAL”,  SH.P.K-së, PËR IMPORTIN E MBETJEVE METALIKE TË ALUMINIT PËR QËLLIME RICIKLIMI

 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 22, të ligjit nr.8934,  datë 5.9.2002, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 49, të ligjit nr.10 463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave

 V E N D O S I:

1.      Autorizimin e “RAMETAL”, sh.p.k.-së, për importin e mbetjeve metalike të aluminit për qëllime riciklimi, me kodin doganor:

 

·        GA    760200      mbetje të aluminit;

·        GA    76020011  mbetje të aluminit;

·        GA    76020019  mbetje të aluminit;

·        GA    76020090  kthime të aluminit;

 

dhe kodin B1-B1010, të Konventës së Bazelit, sipas anekseve 1 e 2, bashkëlidhur vendimit nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi”.

 2.      Sasia e mbetjeve metalike të aluminit që importohet sipas kodeve të referuara në pikën 1, të këtij vendimi, është  25000 tonë.

3.      Mbetjet importohen nga vendet e Bashkimit Europian, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia. Transporti bëhet në rrugë tokësore dhe detare, duke plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm ligjor për transportin ndërkombetar të mbetjeve, si dhe kërkesat e kreut II, të vendimit nr.806, datë 4.12.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave dhe procedurave për importimin e mbetjeve për importimin, përpunimin dhe riciklimin”. Ambalazhimi i tyre të bëhet në paleta, i presuar, ose në thasë plastikë konform aneksit III, të vendimit nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi”. Për çdo transfertë ndërkufitare të mbetjeve, “RAMETAL”, sh.p.k.-ja, dorëzon të plotësuar në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, dokumentin e lëvizjes/transfertës ndërkufitare të mbetjeve, sipas formatit të dhënë në     aneksin IV, të vendimit nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, dhe  monitorimi i tyre të kryhet nga strukturat përkatëse të doganave. Çdo transfertë mbetjesh duhet të jetë e pajisur me raport-analizë, të kryer për aspektin e radioaktivitetit.

4.      Kohëzgjatja e lejimit të importit të mbetjeve metalike të aluminit nga “RAMETAL”, sh.p.k.-ja. të jetë për një periudhë kohore 1 - vjeçare dhe të fillojë me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

 5.      Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në zbatim të kërkesave të mësipërme ligjore, të marrë masat e nevojshme për kontrollin e procesit të riciklimit të mbetjeve metalike të aluminit  nga “RAMETAL”, sh.p.k.-ja, pas miratimit të këtij vendimi, për të siguruar mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit publik.

6.      Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave komunikon, me shkrim, me shtetet eksportuese dhe ato transitore, për autorizimet përkatëse që lejojnë kalimin e kësaj sasie të mbetjeve të aluminit, në përmbushje të kërkesave të Konventës së Bazelit, “Për kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjësimin e tyre”, në të cilën Republika e Shqipërisë është palë.

 

7.      Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare"

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *

 

V E N D I M

PËR

RREGULLAT DHE PROCEDURAT E SKEMËS SË FINANCIMIT E BASHKËFINANCIMIT TË TRANSFERTËS SË PAKUSHTËZUAR PËR MBËSHTETJEN E GJELBËRIMIT

 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 15, të ligjit nr.10 487,  datë 5.12.2011, “Për buxhetin e vitit 2012”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

 V E N D O S I:

 1.        Fondin prej 10 për qind të transfertës së pakushtëzuar, të ndarë sipas ligjit nr.10 487, datë 5.12.2011, “Për buxhetin e vitit 2012”, që komunat dhe bashkitë nuk e kanë përdorur për skemën e financimit të pemëtarisë, duhet ta përdorin për gjelbërim, me qëllim përmirësimin e treguesve të mjedisit.

 

2.        Sipërfaqet që do të gjelbërohen duhet të ndodhen brenda juridiksionit administrativ të komunës ose bashkisë.

 

3.        Fondi i transfertës së pakushtëzuar, i përcaktuar në pikën 1, do të përdoret për:

 

a)        krijimin e parqeve të reja apo rehabilitimin e atyre ekzistuese, por që kanë humbur funksionin si të tilla, duke i pyllëzuar me drurë të ndryshëm pyjorë;

b)        gjelbërimin e territoreve publike të shkollave, kopshteve, çerdheve, qendrave shëndetësore, rrugëve, institucioneve dhe objekteve të ndryshme social-kulturore;

c)        pyllëzimin e territoreve të kërcënuara nga ndotjet industriale;

ç)      pyllëzimin e sipërfaqeve të eroduara, të rrezikuara nga rrëshqitjet dhe që paraqesin rrezik për infrastrukturën dhe zonat e banuara apo ato industriale;

d) pyllëzimin e shtretërve të lumenjve dhe kthimin e tyre në zona rekreative për njerëzit apo prodhimin e biomasës me cikël të shkurtër prodhimi për energji të rinovueshme;

dh)       pyllëzimin e sipërfaqeve përreth varrezave;

e)      pyllëzime të integruara me kultura bujqësore e kullosore për krijimin e sistemeve agro-pyjore e silvo-pastorale.

 

4.        Sipërfaqet që do të përdoren për krijimin e parqeve apo zonave të gjelbëruara duhet të plotësojnë këto kushte:

 

a)      jenë pronë publike e patjetërsueshme;

b)      të mos jenë objekt pretendimi për rikthimin e pronës ish-pronarëve;

c)      të mos jenë objekt tjetërsimi si pasojë e investimeve publike të miratuara më parë;

ç)    mos jenë objekt i studiuar dhe i miratuar për ndërtime urbane apo vepra industriale;

d)    të jenë të lidhura me infrastrukturë rrugore.

 

5.        Llojet drurëve që do të mbillen duhet të plotësojnë kërkesat, si më poshtë:

 

a)      t’u përshtaten kushteve klimatike tokësore në zonën ku do të mbillen;

b)      përparësi t’u jepet specieve me përdorim kompleks (frutore-pyjore) ose llojeve tradicionale e autoktone, që synojnë ruajtjen e biodiversitetit dhe sigurinë ushqimore;

c)      fidanët të jenë të certifikuar.

 6.        Në rastet kur sipërfaqet që do të pyllëzohen për t’u kthyer në park apo zonë të gjelbëruar janë fond pyjor në pronësi shtetërore, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në zbatim të akteve ligjore, t’i kalojë këto sipërfaqe në pronësi të  komunave dhe bashkive.

 

7.        Komunat apo bashkitë fondin e transfertës së pakushtëzuar duhet ta planifikojnë për t’u përdorur brenda vitit buxhetor, duke realizuar projektet përkatëse për pyllëzimin e sipërfaqeve për krijimin e parqeve dhe zonave të gjelbëruara dhe mbrojtjen e tokës nga erozioni. 

 

8.        Skema e financimit të projekteve me fondin e transfertës së pakushtëzuar të jetë në përputhje me nivelin e realizimit punimeve për pyllëzimin dhe ripyllëzimin e sipërfaqeve për t’u kthyer në parqe dhe zona të gjelbëruara.


 9.        Komunat dhe bashkitë, pas punimeve për mbjelljen e drurëve pyjorë, duhet të kryejnë të gjitha shërbimet për mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e këtyre objekteve.

 

10.          Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave të bashkëpunojë me njësitë e qeverisjes vendore, duke monitoruar punimet që do të kryhen sipas fazave deri në realizimin e plotë të tyre dhe të hartojë një raport për Ministrinë e Financave.

 

11.          Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Financave dhe komunat e bashkitë.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

* * *

V E N D I M

 PËR

MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR TË EMERGJENCAVE  “PËR REAGIMIN NDAJ NDOTJEVE DETARE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 32, 398 dhe 401, të ligjit nr.9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 20, të ligjit nr.8905, datë 6.6.2002, “Për mbrojtjen e mjedisit detar nga ndotja dhe dëmtimi”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9692, datë 8.3.2007, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën ndërkombëtare detare “Për përgatitjen ndaj ndotjes nga nafta, reagimi dhe bashkëveprimi (OPRC), 1990””, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave

    V E N D O S I:

 1.      Miratimin e Planit Kombëtar të Emergjencave “Për reagimin ndaj ndotjeve detare në Republikën e Shqipërisë”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2.      Ngarkohen Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD), Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Financave dhe institucionet e tjera shtetërore, si dhe organet që kanë interesat e tyre në det për kontrollin dhe zbatimin e këtij plani kombëtar.

3.      Ngarkohet QNOD-ja të bashkërendojë punën me institucionet e përmendura në pikën 2 për plotësimin e anekseve të nevojshme brenda 15 (pesëmbëdhjetë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

                Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

  

 * * *

V E N D I M

 PËR

 NJË NDRYSHIM nË vendimin nr.55, DATË 3.2.2010, të këshillit të ministrave, “PËR DEKLARIMIN  E  DETYRUESHËM TË DEKLARATAVE TATIMORE  DHE TË DOKUMENTEVE TË TJERA TATIMORE, VETËM NËPËRMJET FORMËS ELEKTRONIKE”, TË NDRYSHUAR

 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 65, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve, shoqërore dhe shëndetësore, në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Pika 5.3, e vendimit nr.55, datë 3.2.2010, të Këshillit të  Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

  5.3. Subjektet, që janë të detyruara të deklarojnë dhe të paguajnë kontributet e sigurimeve, shoqërore dhe shëndetësore, duhet të dorëzojnë në organet tatimore, brenda afateve ligjore edhe në formë shkresore, listëpagesat dhe të dhënat për ndryshimin e numrit të punonjësve për të gjitha periudhat tatimore të vitit 2012. Për këto periudha tatimore, për efekt të zbatimit të afateve të deklarimit, do të vlerësohet dokumenti i dorëzuar apo i deklaruar më i pari në organin tatimor.”.

 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

  K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *

V E N D I M

 PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1 400, DATË 17.10.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ORGANIZIMIN E KURSEVE NË SHISH DHE TRAJNIMIN E PJESËMARRËSVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 2, 5, 6, 13, 22 e 30, të ligjit nr.9357, datë 17.3.2005, “Për statusin e punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 1.      Në vendimin nr.1 400, datë 17.10.2008, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

 a)      Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 “3. Nëse në filialet e trajtimit dhe të kualifikimit të institutit nuk garantohet ushqim, kursantët dhe specializantët trajtohen:

 -         me fjetje dhe kuotë ushqimi ditore, në masën 1 000 (një mijë) lekë/dita, kur distanca kilometrike e vendbanimit nga vendi ku zhvillohet kursi është mbi 50 km;

-         me rimbursim të shpenzimeve të udhëtimit, sipas tarifave për distancat kilometrike, të miratuara me aktet, ligjore e nënligjore, në fuqi, kur distanca kilometrike e vendbanimit nga vendi ku zhvillohet kursi është deri në 50 km.”.

 b)      Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 “6. Punonjësit nga institucionet jashtë SHISH-it, si të akademive ose universiteteve etj., të cilët do të angazhohen në procesin e mësimdhënies, të paguhen sipas kritereve të përcaktuara për punonjësit mësimorë efektivë të universiteteve dhe shkollave të tjera të larta, në aktet, ligjore e nënligjore, në fuqi.”.

 2.    Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2012, miratuar për Shërbimin Informativ të Shtetit.

 3.      Ngarkohet Shërbimi Informativ i Shtetit  për zbatimin e këtij vendimi.

 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”

KRYEMINISTRI

 SALI BERISHA

 

* * *

 V E N D I M

PËR

DHËNIEN NË PËRDORIM INSPEKTORATIT QENDROR  TË NJË PJESE TË GODINËS SË OBSERVATORIT TË INSTITUTIT  TË GJEOSHKENCAVE DHE ENERGJISË, UJIT E MJEDISIT  DHE DHËNIEN NË PËRDORIM AGJENCISЁ KOMBЁTARE  PЁR SIGURINЁ KOMPJUTERIKE TË NJË PJESE TË GODINËS  SË ISH - MINISTRISЁ SЁ TRANSPORTEVE E TELEKOMUNIKACIONEVE

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 23.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 V E N D O S I:

 1.      Dhënien në përdorim Inspektoratit Qendror të katit zero teknik të godinës së observatorit Institutit të Gjeoshkencave dhe Energjisë, Ujit e Mjedisit, sipas planimetrisë bashkëlidhur këtij vendimi.

 2.      Dhënien në përdorim Agjencisё Kombёtare pёr Sigurinё Kompjuterike të katit zero teknik të godinës së ish - Ministrisё sё Transporteve dhe Telekomunikacioneve, sipas planimetrisë bashkëlidhur këtij vendimi.

 3.      Ngarkohen Inspektorati Qendror dhe Instituti i Gjeoshkencave dhe Energjisë, Ujit e Mjedisit qё, brenda 10 (dhjetë) ditёve nga hyrja nё fuqi e kёtij vendimi, tё lirojnё mjediset pёrkatёse.

 4.      Vendimi nr.655, datë 28.9.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për dhënien në përdorim Inspektoratit Qendror të një pjese të godinës së ish - Ministrisë së Transporteve e Telekomunikacioneve”, shfuqizohet.

 5.      Ngarkohen Kryeministria, Ministria e Brendshme, Inspektorati Qendror, Agjencia Kombёtare pёr Sigurinё Kompjuterike dhe Instituti i Gjeoshkencave dhe Energjisë, Ujit e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.

 Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

* * *

 V E N D I M

 PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR SIGURINË E PUBLIKUT  NDAJ EKSPOZIMEVE QË SHKAKTOHEN NGA BURIMET  E RREZATIMEVE JONIZUESE”

 

 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 9, të ligjit nr.8025, datë 9.11.1995, “Për mbrojtjen nga rrezatimet jonizuese”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave

                                                                            V E N D O S I:

1.      Miratimin e rregullores “Për sigurinë e publikut ndaj ekspozimeve që shkaktohen nga burimet e rrezatimeve jonizuese”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 2.      Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimi për zbatimin e këtij vendimi.

               Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *  

V E N D I M

 PËR

MIRATIMIN E LISTËS PARAPRAKE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË KOMUNËS SHUSHICË, TË QARKUT TË VLORËS

 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve  2, 3 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 V E N D O S I:

 1.      Miratimin e listës paraprake të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të komunës Shushicë, të qarkut të Vlorës, sipas lidhjes 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 Lista paraprake, sipas kërkesave të këshillit të kësaj komune, është pjesë e listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që janë brenda juridiksionit territorial dhe administrativ të komunës Shushicë, të qarkut të Vlorës, miratuar me vendimin nr.1381, datë 17.10.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore në komunën Shushicë, të qarkut të Vlorës”.

2.      Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe komuna Shushicë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

 

* * *

V E N D I M

 PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.916, DATË 28.12. 2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME,  PËR VITIN 2011, NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR

 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 18, pika 2, të ligjit nr.7961,datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, dhe të nenit 11, të ligjit nr.10 487, datë 5.12.2011, “Për buxhetin e vitit 2012”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

 V E N D O S I:

1. Në pikën 2 të vendimit nr.916, datë 28.12.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pas fjalëve “...Ministrinë e Financave...”, të shtohen fjalët “...për       6 fotokopistët pranë aparatit të Ministrisë së Drejtësisë...”.

2. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi të përballohen nga shpenzimet korente, të miratuara në buxhetin përkatës të vitit 2012 për Ministrinë e Drejtësisë.

3. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data e miratimit të tij.

            K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

 

* * *

V E N D I M

 PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMET NR.1699, DATË 29.12.2008; R.707, DATË 23.6.2009; NR.784, DATË 1.7.2009; NR.1147,   DATË 25.11.2009; NR.1231, DATË 11.12.2009; NR.1259, DATË 23.12.2009; NR.268, DATË 21.4.2010; NR.382, DATË 19.5.2010; NR.714, DATË 25.8.2010; NR.1015, DATË 10.12.2010; NR.1069,  DATË 29.12.2010; NR.61, DATË 26.1.2011; NR.99, DATË 4.2.2011; NR.135, DATË 23.2.2011; NR.196, DATË 9.3.2011; NR.230, DATË 13.3.2011; NR.297, DATË 14.4.2011; NR.363, DATË 4.5.2011; NR.390, DATË 25.5.2011; NR.457, DATË 22.6.2011; NR.691,  DATË 12.10.2011, DHE NR.186, DATË 6.3.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, PËR MIRATIMIN E DËMSHPËRBLIMIT FINANCIAR PËR ISH-TË DËNUARIT POLITIKË TË REGJIMIT KOMUNIST

 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9 e 10, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish - të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 V E N D O S I:

 Korrigjimin e masës përfundimtare të dëmshpërblimit financiar, të parashikuar në vendimet nr.1699, datë 29.12.2008; nr.707, datë 23.6.2009; nr.784, datë 1.7.2009; nr.1147, datë 25.11.2009; nr.1231, datë 11.12.2009; nr.1259, datë 23.12.2009; nr.268, datë 21.4.2010; nr.382, datë 19.5.2010; nr.714, datë 25.8.2010; nr.1015, datë 10.12.2010; nr.1069, datë 29.12.2010; nr.61, datë 26.1.2011; nr.99, datë 4.2.2011; nr.135, datë 23.2.2011; nr.196, datë 9.3.2011; nr.230, datë 13.3.2011; nr.297, datë 14.4.2011; nr.363, datë 4.5.2011; nr.390, datë 25.5.2011; nr.457, datë 22.6.2011; nr.691, datë 12.10.2011, dhe nr.186, datë 6.3.2012, të Këshillit të Ministrave, për miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish - të dënuarit politikë të regjimit komunist, sipas anekseve që i bashkëlidhen këtij vendimi.

 Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 K RY E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

 * * *

V E N D I M

PËR

EMËRIM NË DETYRË

 Në mbështetje të neneve 95, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 V E N D O S I:

Z. Gëzim Podgorica emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Telegrafike Shqiptare.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

* * *

 

 V E N D I M

PËR

SHKARKIMIN NGA DETYRA TË KRYETARIT TË KOMUNËS LENIE, Z. ASTRIT BICI

Në mbështetje të neneve 100 dhe 115, pika 1, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “a”, të nenit 42, të ligjit nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 Shkarkimin nga detyra, për shkelje të rënda të ligjit, të kryetarit të komunës Lenie, z. Astrit Bici.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *

 
 V E N D I M

PËR

SHKARKIMIN NGA DETYRA TË KRYETARIT TË KOMUNËS RRETHINA, Z. KLEVES MUJA

 Në mbështetje të neneve 100, dhe 115, pika 1, të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”,  të nenit 42, të ligjit nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 V E N D O S I :

 Shkarkimin  nga detyra për shkelje të rënda ligjore të kryetarit të komunës Rrethina, z. Kleves Muja.

 Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

* * *

 V E N D I M

PËR

LIRIM NGA DETYRA

 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 V E N D O S I:

 Z. Bardh Spahia, zëvendësministër i Shëndetësisë,  lirohet nga kjo detyrë.

 Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA


* * *

   

A K t   N O R M A T I V

 PËR

KRIJIMIN E TASK - FORCËS PËR MARRJEN E MASAVE TË MENJËHERSHME NDAJ SUBJEKTEVE QË GJENEROJNË ZHURMË TEJ NORMAVE TË LEJUARA NË QENDRAT URBANE DHE ZONAT TURISTIKE E BREGDETARE

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1

Krijimin e Task - Forcës në nivel qarku për marrjen e masave të menjëhershme për përballimin e situatës së krijuar nga ushtrimi i aktiviteteve ekonomike, që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara, në qendrat urbane, zonat turistike dhe bregdetare.

Neni 2

1.      Task - Forca drejtohet nga prefekti i qarkut përkatës dhe ka në përbërje:

 

a)      kryetarin e Agjencisë Rajonale të Mjedisit, në nivel qarku;

b)      inspektorë të njësive inspektuese të Inspektoratit të Mjedisit, në nivel qarku;

c)      punonjës të shërbimeve të  Policisë së Shtetit;

            ç) inspektorë të policisë së bashkisë ose komunës, sipas juridiksionit  

                territorial përkatës;

           d)  specialistë të Institutit të Shëndetit Publik dhe të strukturave vendore të shëndetit publik;

         dh)  përfaqësues të prefektit të qarkut;

           e)  inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Punës,  në nivel qarku.

 

2.      Punonjësit e Task - Forcës zbatojnë detyrimet e caktuara nga legjislacioni i posaçëm dhe ky akt normativ.

Neni 3

 

1.      Task - Forca ushtron aktivitetin e saj në çdo ditë të javës, duke ndaluar ushtrimin pas orarit të lejuar të veprimtarive të subjekteve, fizike e juridike, të cilat janë burim zhurme, si dhe në rastet e njoftimit nga institucionet shtetërore apo komuniteti për tejkalim të normave të lejuara të nivelit të zhurmës në mjedis.

2.       Për mjediset e hapura orari i lejimit të veprimtarive për ditët e premte dhe të shtunë të jetë nga ora 19.00 deri në orën 24.00, ndërsa për ditët e tjera të javës të jetë nga ora 19.00 deri në orën 23.30, sipas normave të lejuara të zhurmës, të përcaktuara në udhëzimin e përbashkët nr.8,                   datë 27.11.2007, të ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe të ministrit të Shëndetësisë, “Për nivelet kufi të zhurmave në mjedise të caktuara”.

 

3.       Për mjediset e mbyllura, veprimtaria lejohet duke respektuar nivelin e lejuar të zhurmës, të përcaktuar në udhëzimin e përmendur në pikën 2, të këtij neni.

Neni 4

1.      Strukturat e Policisë së Shtetit, si pjesë e Task - Forcës, mbështetin ushtrimin e veprimtarisë së Inspektoratit të Mjedisit për ekzekutimin e vendimeve, për të cilat ligji i posaçëm parashikon dënime administrative plotësuese, pezullim të aktivitetit dhe sekuestrim të pajisjeve dhe impianteve të subjekteve, që gjenerojnë zhurmë në kundërshtim me              ligjin nr.9774, datë 12.7.2007, “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, dhe aktet ligjore në fuqi.

2.      Në rastet kur subjektet kundërshtojnë ndërprerjen e aktivitetit, ekzekutimin e vendimeve të Inspektoratit të Mjedisit referuar pikës 1, të këtij neni, ose pengojnë kryerjen e matjes së zhurmës nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, veprohet në përputhje me dispozitat e               ligjit nr.9749, datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit”, si dhe për rastet kur veprimet e subjekteve përbëjnë vepër penale, materialet i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor.

 Neni 5

 Njësitë e inspektimit të Inspektoratit të Mjedisit në qarqe, strukturat ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore, strukturat vendore të shëndetit publik dhe Institutit të Shëndetit Publik, si dhe strukturat e Policisë së Shtetit marrin masa të menjëhershme për zbatimin e kërkesave ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me këtë akt normativ, duke bashkëpunuar dhe duke bashkërenduar punën për garantimin e qetësisë publike në këto zona.

 Neni 6

Ngarkohen strukturat e Inspektoratit të Mjedisit, të Institutit të Shëndetit Publik, strukturat vendore të shëndetit publik, njësitë e qeverisjes vendore, prefektët e qarqeve dhe Policia e Shtetit për zbatimin e këtij akti normativ.

Neni 7

Moskryerja e detyrës së ngarkuar nga punonjësit e strukturave të përcaktuara në nenin 2, të aktit normativ, konsiderohet shkelje e rëndë disiplinore dhe përbën shkak për fillimin e procedurave të largimit nga detyra.

 Neni 8

Pika 3.1., e vendimit nr.587, datë 7.7.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për monitorimin dhe kontrollin e nivelit të zhurmave në qendrat urbane dhe turistike”, shfuqizohet.

Neni 9

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

 


25/07/2012

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave