Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivë e Këshillit të Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Vendimet dhe projektligjet e miratuara nė mbledhjen e Kėshillit tė Ministrave
 
V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE ARTIGIANCASSA S.P.A., PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT PËR FUQIZIMIN E AGJENCISË SË ZHVILLIMIT RURAL DHE TË AGRIKULTURËS, PËR DISBURSIMIN E GRANTEVE NË AGRIKULTURË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të      neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Artigiancassa S.p.A., për financimin e programit për fuqizimin e Agjencisë së Zhvillimit Rural dhe të Agrikulturës, për disbursimin e granteve në agrikulturë, me një hua të butë prej 5 000 000 (pesë milionë) eurosh, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

***

V E N D I M


PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E KONVENTËS PËR NDIHMËN ADMINISTRATIVE TË NDËRSJELLË NË ÇËSHTJET TATIMORE”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e Konventës për Ndihmën Administrative të Ndërsjellë në Çështjet Tatimore”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
 

SALI  BERISHA

 
***


P R O J E K T L I GJ

 
PËR

RATIFIKIMIN E KONVENTËS PËR NDIHMËN ADMINISTRATIVE  TË NDËRSJELLË NË ÇËSHTJET TATIMORE


Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi I Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e Konventës për Ndihmën Administrative të Ndërsjellë në Çështjet Tatimore.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E T A R I


JOZEFINA  TOPALLI  (ÇOBA)

***
V E N D I M

 
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN  E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE    TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MALIT TË ZI, PËR MBROJTJEN E INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.

 Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
 
SALI BERISHA
 
 ***

P R O J E K T L I GJ

 
PËR

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT  TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MALIT TË ZI, PËR MBROJTJEN E NDËRSJELLË     TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR


Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.


  Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E T A R I
 
JOZEFINA TOPALLI  (ÇOBA)

***

V E N D I M

 
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE ARTIGIANCASSA S.P.A., PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT TË NDIHMËS SË INTEGRUAR PËR ZHVILLIMIN E NDËRMARRJEVE TË VOGLA DHE TË MESME SHQIPTARE”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Artigiancassa S.p.A., për financimin e programit të ndihmës së integruar për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I


SALI  BERISHA

***

P R O J E K T L I G J

 
PËR

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE,   DHE ARTIGIANCASSA S.P.A., PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT TË NDIHMËS SË INTEGRUAR PËR ZHVILLIMIN E NDËRMARRJEVE TË VOGLA DHE TË MESME SHQIPTARE

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Artigiancassa S.p.A., për financimin e programit të ndihmës së integruar për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare, sipas tekstit bashkëlidhur këtij ligji.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E T A R I


JOZEFINA  TOPALLI  (ÇOBA)

***

V E N D I M
 
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.10239, DATË 25.2.2010, “PËR KRIJIMIN E FONDIT SPECIAL TË KOMPENSIMIT TË PRONAVE””


Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I :

Propozimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr.10239,   datë 25.2.2010, “Për krjimin e fondit special të kompensimit të pronave”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn ne fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
 
SALI  BERISHA
 
 ***

P R O J E K T L I GJ

 
PËR

NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.10239, DATË 25.2.2010, “PËR KRIJIMIN E FONDIT SPECIAL TË KOMPENSIMIT TË PRONAVE”

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë


V E N D O S I:

Neni 1

Në shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 3, të ligjit nr.10239, datë 25.2.2010, “Për krjimin e fondit special të kompensimit të pronave”, fjalët “... në masën 65 për qind të vlerës së shitjes për objektet...” zëvendësohet me “ ...në masën 20 deri në 65 për qind të vlerës së shitjes për objektet, në varësi të shumës që është shlyer në lekë ...”.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E T A R I
 
JOZEFINA  TOPALLI  (ÇOBA)

***

V E N D I M
 
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË NDRYSHIM    NË LIGJIN NR.7918, DATË 13.4.1995, “PËR MIRATIMIN     ME NDRYSHIME TË DEKRETIT NR.1030, DATË 23.2.1995, “PËR EMETIMIN DHE SHPËRNDARJEN E BONOVE TË PRIVATIZIMIT (LEKË TË PRIVATIZIMIT)”, DHE TË DEKRETIT NR.1049,   DATË 27.3.1995, “PËR DISA PLOTËSIME NË DEKRETIN NR.1030, DATË 23.2.1995””, TË NDRYSHUAR”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr.7918,   datë 13.4.1995, “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr.1030,   datë 23.2.1995, “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit (lekë të privatizimit)”, dhe të dekretit nr.1049, datë 27.3.1995, “Për disa plotësime në dekretin nr.1030, datë 23.2.1995””, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
 

SALI BERISHA

 
 ***

P R O J E K T L I GJ

 
PËR

NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.7918, DATË 13.4.1995, “PËR MIRATIMIN ME NDRYSHIME TË DEKRETIT NR.1030,   DATË 23.2.1995, “PËR EMETIMIN DHE SHPËRNDARJEN   E BONOVE TË PRIVATIZIMIT (LEKË TË PRIVATIZIMIT)”,  DHE TË DEKRETIT NR.1049, DATË 27.3.1995, “PËR DISA PLOTËSIME NË DEKRETIN NR.1030, DATË 23.2.1995””,   TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni  1

Fjalia e fundit, e nenit 3, të ligjit nr.7918, datë 13.4.1995, “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr.1030, datë 23.2.1995, “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit (lekë të privatizimit)”, dhe të dekretit nr.1049, datë 27.3.1995, “Për disa plotësime në dekretin nr.1030,   datë 23.2.1995””, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Afati i përdorimit të bonove dhe lekëve të privatizimit është deri     më 31.12.2014.”.

Neni  2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R  I
  

JOZEFINA  TOPALLI (ÇOBA)

***
V E N D I M


PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT   TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË    DHE KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË BOSNJË - HERCEGOVINËS, PËR BASHKËPUNIM NË FUSHËN E VETERINARISË


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të   ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:
 
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjë - Hercegovinës, për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

***

V E N D I M

 
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS  SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE,    DHE ARTIGIANCASSA S.P.A., PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT   PËR ZHVILLIMIN E QËNDRUESHËM TË SEKTORIT TË ULLINJVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 26, të ligjit nr.9665,    datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave: 

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave  dhe Artigiancassa S.p.A., për financimin e programit për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të ullinjve, me një hua të butë prej 3 000 000 (tre milionë) eurosh, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

***
V E N D I M

 
PËR

AUTORIZIMIN E SHOQËRISË “ANSA”, SH.P.K, PËR IMPORTIN    E MBETJEVE TË POLIETILENIT, PËR QËLLIME RICIKLIMI


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 22, të   ligjit nr.8934, datë 5.9.2002, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 49, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:


1.    Autorizimin e shoqërisë “ANSA”, sh.p.k., për importin e mbetjeve të polietilenit, me kodet GH 011ex 391510 dhe B1 - B3010, të Konventës së Bazelit, aneksi 1 “Mbetjet e listës së gjelbër”, referuar vendimit nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen, për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi”, të ndryshuar.

2.    Sasia e mbetjeve të polietilenit, që do të importohet sipas kodeve të referuara në pikën 1, të këtij vendimi, është 3 600 (tre mijë e gjashtëqind) tonë në vit.

3.    Mbetjet do të importohen nga shteti i Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi, dhe vendet e Bashkimit Europian. Transporti të bëhet në rrugë tokësore dhe detare, pasi të plotësohet i gjithë dokumentacioni i nevojshëm ligjor për transportin ndërkombëtar të mbetjeve, si dhe kërkesat e kreut II, të vendimit nr.806, datë 4.12.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave dhe procedurave për importimin e mbetjeve për qëllime përdorimi, përpunimi dhe riciklimi”. Ambalazhimi i tyre të bëhet në paleta, i presuar ose në thasë plastikë, sipas kërkesave të anekseve III dhe IV, bashkëlidhur vendimit nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen, për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi”, të ndryshuar.

4.    Për çdo transfertë ndërkufitare të mbetjeve, shoqëria “ANSA”, sh.p.k., dorëzon të plotësuar në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, dokumentin e lëvizjes/transfertës ndërkufitare të mbetjeve, sipas formatit të dhënë në anekset III dhe IV, bashkëlidhur vendimit nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen, për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi”, të ndryshuar, dhe monitorimi i tyre të kryhet nga strukturat përkatëse të doganave. Çdo transfertë mbetjesh duhet të jetë e pajisur me një raport - analizë, të kryer për aspektin e radioaktivitetit.

5.    Periudha e lejimit të importit të mbetjeve të polietilenit nga  shoqëria “ANSA”, sh.p.k., është  1 - vjeçare, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

6.    Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në zbatim të kërkesave të mësipërme ligjore dhe për të siguruar mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit  publik, merr masat e nevojshme për kontrollin e procesit të riciklimit të mbetjeve të polietilenit nga shoqëria “ANSA”, sh.p.k., edhe pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7.    Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave komunikon me shkrim me shtetet eksportuese dhe me ato në të cilat do të bëhet kalimi transit për autorizimet përkatëse, në bazë të të cilave lejohet kalimi i kësaj sasie të mbetjeve të plastikës, në përmbushje të kërkesave të Konventës së Bazelit “Për kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjësimin e tyre”, në të cilën Republika e Shqipërisë është palë.


8.    Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

 
SALI BERISHA

***

V E N D I M
 
 PËR

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE TË TREGTIMIT  E TË CERTIFIKIMIT TË FARAVE TË PERIMEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 9, 14, pika 3, 15, pika 3, e 16, pika 4, të ligjit nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:

I. TË PËRGJITHSHME DHE PËRKUFIZIME

I.1 Qëllimi dhe zbatimi

1.    Qëllimi i këtij vendimi është të përcaktojë kriteret për tregtimin e farës së perimeve, për kategoritë, identitetin dhe cilësinë e tyre, rregullat e paketimit e të etiketimit, si dhe procedurat e kriteret e certifikimit.

2.    Ky vendim zbatohet për speciet e bimëve perimore, të listuara në aneksin I/1, bashkëlilidhur këtij vendimi.
 
     I.2 Përkufizime
   
    Të gjithë termat e përcaktuar në ligjin nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, kanë të njëjtin kuptim edhe në këtë vendim, ndërsa me termat e mëposhtëm do të nënkuptohen:
1.    “Perime”, bimë të specieve të destinuara për prodhim bujqësor ose për kopshtari, por jo për përdorim zbukurues, sipas aneksit I/1, bashkëlidhur këtij vendimi, si më poshtë vijon:

a)    5 kg, për bimët perimore bishtajore;
b)    500 g, për qepët, chervilin, asparagun, pazinë, panxharin e kuq, turnipin, shalqinin, kungulleshkat, kungullin e zakonshëm, karrotat, rrepkat, endiviet, spinaqin, sallatën jeshile gjethevogël;
c)    100 g, për speciet e tjera të perimeve.

2.    “Komponent”, njëri nga prindërit që shërben për përftimin e farës hibride.

3.    “Farë hibride”, fara që përftohet nga kryqëzimi i dy apo më shumë komponentëve. 

II. KRITERET PËR TREGTIMIN E FARAVE TË PERIMEVE

    II.1 Kërkesa të përgjithshme për tregtimin e farës së perimeve

      II.1.1 Kritere për tregtimin e farës

1.    Farat e perimeve për tregtim duhet të poltësojnë këto kritere:

a)    Të kenë të përcaktuar kategorinë, identitetin dhe cilësinë, sipas kërkesave të këtij vendimi dhe aneksit II të tij;
b)    Të jenë certifikuar dhe të plotësojnë kushtet e përcaktuara në       aneksin I, bashkëlidhur këtij vendimi;
c)    Për rastet e prodhimit vendas, të jenë pajisur me certifikatën zyrtare sipas modelit të përcaktuar në aneksin VI, bashkëlidhur këtij vendimi;
ç)  Të jenë paketuar dhe etiketuar në përputhje me kriteret e këtij vendimi;
d)    Varieteti ose hibridi të jetë i regjistruar në Katalogun Kombëtar;
        dh)  Të plotësojnë kërkesat e legjislacionit për mbrojtjen e bimëve dhe atij
                për mbrojtjen e biodiversitetit;
e)     Të plotësojnë kushtet e magazinimit, ruajtjes dhe transportit.

2.    Fara e specieve perimore, përjashtuar çikoren industriale, nuk mund të tregtohet nëse nuk është certifikuar zyrtarisht si farë bazë ose farë e certifikuar ose nëse nuk është farë standarde.

3.    Fara e çikores industriale nuk mund të tregtohet nëse ajo nuk është certifikuar zyrtarisht si farë bazë ose farë e certifikuar.


4.    Pavarësisht nga pikat 2 dhe 3, të këtij kreu, mund të tregtohet:

a)    fara e seleksionerit e gjeneracioneve para farës bazë;
b)    fara e prodhuar, tregtuar për përpunim, me kusht që të jetë siguruar identiteti i farës.

5.    Kushtet, që duhet të plotësojë fara sipas shkronjës “a”, të pikës 4, për t’u tregtuar, janë, si më poshtë vijon:

a)    Të jetë kontrolluar zyrtarisht nga autoriteti certifikues, në përputhje me procedurën e certifikimit të farës bazë;
b)    Të jetë paketuar në përputhje me kërkesat e përcaktuara në këtë vendim;
c)    Paketat duhet të pajisen me etiketë zyrtare në të cilën të jenë përcaktuar:

i.    autoriteti certifikues dhe shteti përkatës ose shkurtimet e tyre dalluese;
ii.    numri i referencës së lotit;
iii.    muaji dhe viti i paketimit;
iv.    muaji dhe viti i marrjes së mostrës së fundit zyrtare, për qëllime certifikimi;
v.    speciet, të treguara të paktën nën emrin e tyre botanik, të cilat mund të jenë dhënë në formë të shkurtuar dhe pa emrat e autorëve, në shkronja romake;
vi.    varieteti, i treguar të paktën me shkronja romake;
vii.    përshkrimi  i farës parabazë;
viii.    numri i gjeneracionit që i paraprin farës së kategorisë “farë e
 certifikuar”.

ç) Etiketa të jetë e bardhë me një vijë diagonale në ngjyrë violet.

     II.1.2 Kategoritë, identiteti dhe cilësia e farave të perimeve

1.    Sipas prejardhjes, farat e perimeve ndahen në kategoritë e mëposhtme:

a)    Fara parabazë;
b)    Fara bazë;
c)    Fara e certifikuar;
ç)  Fara standarde.

2.     Fara parabazë është fara që është prodhuar nën përgjegjësinë e seleksionerit, sipas praktikave të pranuara për prodhimin e farave të kësaj kategorie. Kjo farë është burim për prodhimin e farës bazë.

3.    Fara bazë është fara që:

a)    është prodhuar nën përgjegjësinë e seleksionerit, sipas praktikave të pranuara për mirëmbajtjen e varietetit;
b)    është menduar për prodhimin e farës së kategorisë “farë e certifikuar”;
c)    plotëson kushtet e përcaktuara në anekset I dhe II, bashkëlidhur këtij vendimi, për farën bazë;
ç) nga kontrolli zyrtar rezulton se plotëson kushtet e përcaktuara në   aneksin II, bashkëlidhur këtij vendimi, dhe kërkesat e përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të kësaj pike.

4.    Fara e certifikuar është fara që:

a)    është prodhuar direkt nga fara bazë ose, nëse seleksioneri e kërkon, nga fara e një brezi para farës bazë dhe që plotëson kushtet e përcaktuara në anekset I dhe II, bashkëlidhur këtij vendimi, për farën bazë;
b)    përdoret kryesisht për prodhimin e perimeve;
c)    plotëson kushtet e përcaktuara në anekset I dhe II, bashkëlidhur këtij vendimi, për farën e certifikuar;
ç) nga kontrolli zyrtar ose nga mbikëqyrja zyrtare rezulton se plotëson kushtet e përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të kësaj pike;
d)    është objekt i postkontrolleve zyrtare, për të verifikuar identitetin dhe pastërtinë varietore.

5.    Fara standarde është fara që:

a)    ka mjaftueshmërisht identitet dhe pastërti varietore;
b)    përdoret kryesisht për prodhimin e perimeve;
c)    plotëson kushtet e përcaktuara në aneksin II, bashkëlidhur këtij vendimi;
ç) është objekt i postkontrolleve zyrtare, për të verifikuar identitetin dhe pastërtinë varietore.

6.     Skemat e prodhimit të kategorive të farave të perimeve, sipas grupimit të tyre, bëhen nën monitorimin dhe përgjegjësinë e ESHFF-së.

7.     Identiteti i farave të perimeve është tërësia e veçorive botanike, biologjike dhe morfologjike që zotëron një varietet, vlera e të cilave është e njohur dhe plotëson qëllimet e përdorimit.

8.    Cilësia e farës së perimeve përcaktohet nga këta tregues:

a)    Pastërtia e përgjithshme që është përqindja e farave të pastra ndaj peshës së përgjithshme  të farës;
b)    Fuqia mbirëse që është aftësia e farës për të mbirë në kushte të caktuara dhe përcaktohet nga numri i farave që mbijnë në raport me numrin e farave të vëna për mbirje;
c)    Energjia mbirëse që është aftësia që ka fara për të mbirë brenda një periudhe kohe të caktuar;
ç) Lagështia e farave që është përqindja e lejuar e lagështirës që mbart fara, për t’u paketuar dhe për t’u tregtuar si material mbjellës.

     II.1.3 Kriteret për kontrollin e tregtimit të farave të perimeve

1.    Kontrollet zyrtare në lidhje me tregtimin e farës së perimeve duhet të jenë kryer të paktën nga kontrolle të rastit, për të verifikuar plotësimin e kërkesave e të kushteve të përcaktuara në këtë vendim.

2.    Në paketimin gjatë tregtimit të sasive, që kalojnë dy kilogramë farë të importuar, duhet të përcaktohen të dhënat e mëposhtme:

a)    Speciet;
b)    Varieteti;
c)    Kategoria;
ç)  Vendi i prodhimit dhe autoriteti i kontrollit zyrtar;
d)    Vendi i dërgimit;
        dh)  Importuesi;
e)    Sasia e farës.

3.    Mënyra në të cilën do të paraqiten këto të dhëna përcaktohet me udhëzim të ministrit.

4.    Fara e kategorive “farë e certifikuar” dhe “farë standarde” i nënshtrohet postkontrollit zyrtar në fushë, për të krahasuar identitetin dhe pastërtinë e tyre varietore ndaj kontrolleve.

5.    Nëse gjatë testeve të postkontrollit të kryera në fushë rezulton në mënyrë të përsëritur se fara e varietetit nuk plotëson kushtet e përcaktuara në lidhje me identitetin dhe pastërtinë varietore, furnizuesi nuk lejohet të tregtojë një farë të tillë për një periudhë të caktuar.

6.    Çdo masë e marrë sipas pikës 5 hiqet në momentitn që vërtetohet se fara e destinuar për tregtim në të ardhmen plotëson kushtet për identitetin dhe pastërtinë varietore.

7.    Testet dhe provat krahasuese për ekzaminimin e postkontrollit të mostrave të farës së perimeve të hedhura në treg kryhen në bazë të kërkesave të këtij vendimi. Testet dhe provat krahasuese përfshijnë:

a)    farat e prodhuara për tregtim;
b)    farat e përshtatshme për bujqësinë organike;
c)    farat e tregtuara në lidhje me ruajtjen in-situ dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve gjenetike bimore.

     II.1.4  Paketimi dhe etiketimi i farës së perimeve

1.    Paketimi i farave të kategorisë bazë dhe të certifikuara shoqërohet me dy lloj etiketash që janë etiketa e prodhuesit dhe etiketa zyrtare e lëshuar nga ESHFF-ja.

2.    Farat e perimeve të kategorive bazë, e certifikuar dhe standarde, duhet të tregtohen vetëm në lote homogjene dhe të paketuara.

3.    Paketat e farave të kategorisë bazë dhe të certifikuara duhet të jenë të etiketuara në mënyrë të tillë që nuk mund të hapen pa dëmtuar mbylljen dhe/ose etiketën zyrtare.

4.    Paketat e vulosura sipas pikës 3 nuk mund të hapen dhe të rimbyllen,  përveçse zyrtarisht nën mbikëqyrjen e ESHFF-së. Nëse paketat janë rimbyllur, duhet të shënohet në etiketë rimbyllja dhe data e fundit e rimbylljes.

5.    Paketat e farës së kategorisë “standarde” dhe paketat e vogla të farave të kategorisë “e certifikuar” duhet të jenë të mbyllura në mënyrë të tillë që nuk mund të hapen pa dëmtuar mbylljen dhe/ose etiketën zyrtare.

6.    Paketat e vogla me farë të kategorisë “e certifikuar” nuk mund të paketohen ose të rimbyllen,  përveçse nën mbikëqyrjen e ESHFF-së.

7.    Paketat me farë të kategorisë, bazë dhe të certifikuar, përveç rasteve kur janë në paketa të vogla:

a)    do të etiketohen në pjesën e jashtme me etiketën zyrtare që përmbush kushtet e përcaktuara në aneksin IV (A), bashkëlidhur vendimit. Etiketa mund të vendoset në brendësi të paketave transparente me kusht që ajo të mund të lexohet. Ngjyra e etiketës duhet të jetë e bardhë për farën bazë dhe blu për farën e certifikuar. Në rastet kur fara bazë nuk i plotëson kushtet e përcaktuara në aneksin II, në lidhje me fuqinë mbirëse, ky fakt do të deklarohet në etiketë.
b)    do të përmbajnë një dokument zyrtar, në të njëjtën ngjyrë si etiketa, duke dhënë  informacionin e kërkuar në aneksin IV (A), pikat 4 deri     në 7. Ky dokument do të hartohet në mënyrë të tillë që nuk mund të ngatërrohet me etiketën zyrtare, të përcaktuar në shkronjën “a”, të kësaj pike.

8.    Paketat me farë të kategorisë “standarde” dhe paketat e vogla me farë të kategorisë “e certifikuar” do të mbajnë edhe etiketën e furnizuesit, sipas përcaktimit në aneksin IV (B), bashkëlidhur këtij vendimi. Ngjyra e etiketës duhet të jetë blu për farën e certifikuar dhe e verdhë e errët për farën standarde.

9.    Përjashtuar rastin e paketave të vogla të farës standarde, informacioni i përshkruar sipas pikës 8 duhet të mbahet në mënyrë të qartë, i ndarë nga çdo informacion tjetër i dhënë në etiketë ose në paketë.

10.    Në rastin e paketave të vogla të farës së certifikuar, identiteti i farës mund të vërtetohet, në veçanti, në kohën kur lotet e farës janë të ndara. Për këtë rast, mund të kërkohet që paketat e vogla, të prodhuara brenda vendit,  të paketohen zyrtarisht.

11.    Trajtimi kimik i farës së kategorisë bazë, të certifikuar dhe standarde, përcaktohet në etiketën zyrtare, në etiketën e furnizuesit, mbi paketë ose brenda saj. Për paketime të vogla, ky informacion mund të shtypet direkt mbi paketë ose brenda saj.

III.  CERTIFIKIMI I FARAVE TË PERIMEVE

     III.1 Dokumentacioni dhe procedura e certifikimit
 
1.    Procedurat e certifikimit të farave të perimeve realizohen nga autoriteti certifikues ose nga subjekte, publike apo private, sipas përcaktimit në ligjin nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”.

2.    Kërkesat që duhet të plotësohen për certifikimin e farave të perimeve të prodhuara në vend dhe procedura e certifikimit të tyre janë, si më poshtë vijon:

a)    Për certifikimin e farave të perimeve pranë autoritetit certifikues duhet të paraqiten dokumentet e mëposhtme:

i.     Kërkesa me shkrim për certifikimin e prodhimit të farës së perimeve;
ii.     Licenca përkatëse e lëshuar nga Qendra Kombëtare e Licencimit;
iii.     Aktkontrolli për caktimin e ngastrës së farës, zbatimin e kërkesave agroteknike, teknologjisë së prodhimit të farave sipas metodikave të hartuara për farat e perimeve;
              iv.   Certifikata e origjinës që vërteton pastërtinë gjenetike të varietetit;
               v.   Certifikata fitosanitare e lëshuar nga shërbimi fitosanitar;
vi.     Aktaprobimi fushor;
vii.     Fletanaliza laboratorike e treguesve cilësorë, për çdo varietet dhe lot që certifikohet, lëshuar nga laboratori i miratuar nga ministri;
viii.     Etiketa e prodhuesit;
xi.     Deklarata e konformitetit.

b)    Procedura e certifikimit që ndjek autoriteti certifikues është, si më poshtë vijon:

    i. Bën verifikimin e dokumentacionit dhe të kontingjentit të farës së perimeve që do të certifikohet si dhe verifikon nëse varieteti është regjistruar në Katalogun Kombëtar. Pasi konstaton plotësimin e kërkesave për dokumentacionin e mësipërm plotëson     procesverbalin për verifikimin e specifikimeve teknike, dokumentacionit si dhe për kontrollin e cilësisë së farës së perimeve;
ii.    Përgatit dosjen e certifikimit për vlerësim në bazë të      procesverbalit dhe dokumentacionit të mësipërm;
iii.    Në bazë të vlerësimit të dosjes, lëshon certifikatën zyrtare në të cilën shënohen sasia dhe numri i serisë së etiketave zyrtare që i jepen prodhuesit;

c)    Etiketa zyrtare vendoset në çdo njësi paketimi sipas numrit të serisë, të përcaktuar në certifikatën zyrtare;
ç) Elementet dhe kriteret e etiketës duhet të jenë sipas aneksit IV, bashkëlidhur këtij vendimi;
d)    Certifikata zyrtare lëshohet pasi të jetë likuiduar tarifa e certifkimit dhe pasi të jenë plotësuar dhe tërhequr nga prodhuesi sasitë dhe etiketa zyrtare.

3.    Procedura e vlerësimit të dosjes së certifikimit si dhe lëshimi i certifikatës zyrtare të përfundojnë brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e dorëzimit të kërkesës për certifikim.

4.    Nëse subjekti i autorizuar nga ESHFF-ja për kryerjen e procedurave të certifikimit nuk e përfundon këtë procedurë brenda afatit të përcaktuar me lart, atëherë të interesuarit dorëzojnë ankesë pranë ESHFF-së.

5.    Nëse ESHFF-ja nuk e përfundon procedurën e certifikimit brenda afatit të përcaktuar më lart, atëherë të interesuarit dorëzojnë ankesë pranë ministrit.
 
6.    Megjithatë, pa rënë ndesh me pikat 2 dhe 3,:

a)    mund të autorizohen certifikimi zyrtar dhe tregtimi i farës bazë që nuk i përmbush kushtet e përcaktuara në aneksin II lidhur me fuqinë mbirëse. Në këtë rast, furnizuesi garanton një fuqi mbirëse të caktuar si dhe deklaron të dhëna të tjera për qëllime të tregtimit me një etiketë të veçantë që mban emrin e tij, adresën si dhe numrin e referencës së lotit të farës;
b)    me qëllim që të bëjë farën sa më shpejt të disponueshme, certifikimi do të jepet vetëm me paraqitjen e një raporti të përkohshëm analitik mbi farën dhe me kusht që të jepen emri dhe adresa e marrësit të parë.

7.    Fara e perimeve e prodhuar nga fara bazë ose fara e certifikuar, të cilat janë certifikuar zyrtarisht në një shtet anëtar i Bashkimit Europian për pastërtinë dhe identitetin e farës, do të konsiderohet farë zyrtarisht e certifikuar.

8.    Në rastet kur fara është prodhuar direkt nga fara e certifikuar zyrtarisht e breznive para farës bazë, mund të autorizohet edhe certifikimi zyrtar si farë bazë, nëse plotësohen kushtet e përcaktuara për atë kategori.

9.    Fara e perimeve e prodhuar në një shtet të Bashkimit Europian dhe që do të certifikohet në përputhje me pikën 8 duhet:

a)    të jetë e paketuar dhe e etiketuar me etiketën zyrtare që plotëson kushtet përcaktuara në aneksin V (A) dhe (B);
b)    të shoqërohet nga një dokument zyrtar që plotëson kushtet e përcaktuara në aneksin V (C).

10.    Forma, përmbajtja dhe dokumentacioni, që i bashkëlidhet kërkesës për certifikim, është sipas aneksit VI, bashkëlidhur këtij vendimi.

     III.2 Marrja e mostrave për vlerësim dhe certifikim

1.    Për ekzaminimin e farës për certifikim, mostrat merren zyrtarisht nga specialistët e autoritetit certifikues ose specialistë të tjerë të autorizuar, në përputhje me metodat teknike të përcaktuara me urdhër të ministrit. Këto kërkesa zbatohen edhe në rastin kur mostrat e farës standarde merren për testet e postkontrollit.

2.    Kur marrja e mostrave të farës kryhet sipas pikës 1, duhet të përmbushen kërkesat e mëposhtme:

a)    Marrësit e mostrave të farës duhet të kenë kualifikimet e nevojshme teknike të marra në kurse trajnimi;
b)    Performanca e marrësve të mostrave të farës do të jetë objekt i mbikëqyrjes së duhur nga ana e autoritetit certifikues;
c)    Për qëllime të mbikëqyrjes, të referuar në  shkronjën “b”, një pjesë e loteve të farës që kanë hyrë për certifikim zyrtar kontrollohen nga autoriteti certifikues. Kjo pjesë duhet të jetë përhapur në mënyrë të barabartë sa të jetë e mundur mbi personat, fizikë dhe juridikë, që fusin farën për certifikim. Kjo pjesë do të jetë të paktën 5%. Kjo marrje e mostrave për kontroll nuk zbatohet për marrjen e mostrave automatike.

3.    Për ekzaminimin e farës për certifikim dhe të testeve për postkontroll, mostrat duhet të merren nga lote homogjene, ku pesha maksimale e një loti dhe pesha minimale e një mostre jepet në aneksin III, bashkëlidhur  këtij vendimi.

    IV. DISPOZITA TË FUNDIT

     Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Enti Shtetëror i Farave dhe Fidanëve dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për zbatimin e këtij vendimi.

     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
 
SALI BERISHA

***

V E N D I M
 
 
PËR
 
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.718,  DATË 29.10.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR LISTËN  E PERSONAVE TË SHPALLUR SI FINANCUES TË TERRORIZMIT”,  TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, e 23,    pika 3, të ligjit nr.9258, datë 15.7.2004, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në listën e personave të shpallur sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit (“Lista e OKB-së”), që i bashkëlidhet vendimit nr.718, datë 29.10.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:

1.    Në fund të shkronjës “A”, “Lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me talibanët”, shtohen individët e renditur në shkronjën “a”, të listës,  “Lista e shtuar e individëve në listën e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me talibanët”, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si anëtarë ose bashkëpunëtorë me talibanët, sipas shtesave në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për individët që janë anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues për talibanët.

2.    Në fund të shkronjës “C”,  “Lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën Al-Qaida”, shtohen individët e renditur në shkronjën “b”, të listës,  “Lista e shtuar e individëve në listën e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën Al-Qaida”, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën Al-Qaida, sipas shtesave në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për individët që janë anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues për organizatën Al-Qaida.

3.     Nga lista e shkronjës “C”, “Lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën Al-Qaida”, çregjistrohen individët e renditur në         shkronjën “c” të listës “Lista e individëve të çregjistruar nga lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën Al-Qaida”, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si persona të çregjistruar nga anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues për Al-Qaida-n me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I
 
SALI  BERISHA

***

V E N D I M
 
PËR

MIRATIMIN E TARIFËS SË BILETËS SË CIRKUT KOMBËTAR


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 12, të   ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, me propozimin  e  ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Miratimin e tarifës së biletës së Cirkut Kombëtar, institucion në varësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, sipas     aneksit 1, bashkëlidhur këtij vendimi.

2.    Ngarkohet Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për zbatimin e këtij vendimi.

          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R  I
 
SALI BERISHA

***
V E N D I M

 
PËR

LEJIMIN E EKSPOZIMIT TË DISA OBJEKTEVE TË RRALLA      ME VLERA UNIKE, NË KUADËR TË REALIZIMIT TË EKSPOZITËS “THESARE TË KULTURË SHQIPTARE”, NË PRISHTINË, KOSOVË, NGA DATA 20 PRILL 2013 DERI NË DATËN 21 GUSHT 2013


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 19, të    ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:


1.    Lejimin e ekspozimit të disa objekteve të rralla me vlera unike, në kuadër të realizimit të ekspozitës “Thesare të kulturës shqiptare”, në Prishtinë, Kosovë, nga data 20 prill 2013 deri në datën 21 gusht 2013, sipas      lidhjes 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2.    Ekspozimi jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të bëhet në përputhje me udhëzimin nr.2, datë 18.3.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për lëvizjen e objekteve të trashëgimisë kulturore të luajtshme, me vlera të veçanta kombëtare dhe unikale, për restaurimin, studimin dhe ekspozimin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.

3.    Ngarkohen Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” të kryejë shoqërimin dhe kthimin e ikonave në vendin e origjinës pas mbarimit të veprimtarisë dhe Qendra e Inventarizmit të Pasurive Kulturore të kryejë regjistrimin e lëvizjes së objekteve.

          Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R  I

 
SALI BERISHA


***
V E N D I M
 
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.343, DATË 23.5.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR CAKTIMIN E ANËTARËVE, PËRFAQËSUES TË KËSHILLIT
TË MINISTRAVE, NË KËSHILLIN MBIKËQYRËS TË AGJENCISË SË TRAJTIMIT TË KREDIVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 12, të    ligjit nr.8894, datë 14.5.2002, “Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në pikën 1, të vendimit nr.343, datë 23.5.2012, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
“Znj. Roza Nauni, ekonomiste, zëvendësohet me znj. Odeta Kromici, informaticiene.
Z. Xhentil Demiraj, ekonomist, zëvendësohet me Z. Elton Stafa, ekonomist.”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I
 
SALI  BERISHA

***

V E N D I M

 

PËR

KALIMIN  NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI,  NGA AUTORITETI PORTUAL DURRËS TE MINISTRIA E FINANCAVE, PËR DEGËN E THESARIT DURRËS, TË NJË PJESE TË PRONËS “ISH-DREJTORIA E DOGANAVE” DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.586, DATË 10.9.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTAVE TË INVENTARËVE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT U KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI SHOQËRIVE ANONIME DHE NDËRMARRJEVE TË SISTEMIT TË TRANSPORTIT DETAR DHE AJROR”


Në mbështetje të nenit 100  të Kushtetutës, të neneve 4, 10, 13, 14 e 15,  të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të nenit 45, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:

1.    Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Autoriteti Portual Durrës te Ministria e Financave, për Degën e Thesarit Durrës, të një pjese të zyrave në ambientet e Autoritetit Portual Durrës në objektin “Ish-zyrat e Drejtorisë së Doganave”, me një sipërfaqe, gjithsej, 235,7(dyqind e tridhjetë e pesë presje shtatë) m2, sipas planimetrisë së pjesshme të katit përdhe (Planimetria e zyrave të Thesarit dhe kafazi i shkallëve) dhe formularit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2.    Pjesa e pronës “Ish-zyrat e Drejtorisë së Doganave”, që përmendet në pikën 1, të këtij vendimi, hiqet nga lista e pronave që i bashkëlidhet vendimit nr.586, datë 10.9.2004, të Këshillit të Ministrave.

3.    Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Brendshme, Autoriteti Portual Durrës dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, të ndjekin dhe zbatojnë procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I
 
SALI  BERISHA

***
V E N D I M


PËR

MIRATIMIN E LISTËS PARAPRAKE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË KOMUNËS KTHELLË, TË QARKUT TË LEZHËS


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, 5 e 17, të   ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:   


1.    Miratimin e listës  paraprake të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të komunës Kthellë, të qarkut të Lezhës, sipas lidhjes 1, e cila i bashkëlidhet këtij vendimi.

Lista paraprake, sipas kërkesave të këshillit të kësaj komune, është pjesë e listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që janë brenda juridiksionit territorial dhe administrativ të komunës Kthellë, të qarkut të Lezhës, miratuar me vendimin nr.1640, datë 17.12.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, në komunën Kthellë, të qarkut të Lezhës”.

2.    Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe komuna Kthellë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
             

K R Y E M I N I S T R I
 

SALI  BERISHA

***

V E N D I M
 

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MBRETËRISË SË BELGJIKËS, PËR MBROJTJEN SHOQËRORE


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës, për mbrojtjen shoqërore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.


K R Y E M I N I S T R I
 
SALI  BERISHA




18/04/2013

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave