Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivë e Këshillit të Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Qeveria po pėrgatit vendimin pėr rritjen e rrogave dhe pensioneve
 

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha u ndal gjerësisht në vendimin që po hartohet nga Ministria e Financave për rritjen e rrogave dhe pensioneve, në përputhje me platformën e qeverisjes dhe premtimin e bërë për këtë rritje.

Kryeministri theksoi se kjo rritje bëhet në kohën më të vështirë, në një nga kulmet e krizës së euros dhe të borxheve, të cilat në mënyrë të padiskutueshme, kanë ndikuar dhe ndikojnë edhe në ekonominë shqiptare. Por, siç fakton Komisioni Evropian, në raportin e tij të fundit, rritja ekonomike në Shqipëri, në katër vitet e fundit kulmore të krizës, është 4 herë më e madhe se mesatarja e rajonit. Kryeministri siguroi se modeli ekonomik i Shqipwrisw, është faktuar si modeli më i qëndrueshëm ndaj krizës dhe ka bërë të mundur që të mbahet rritja ekonomike, të dyfishohen eksportet, të thithen investime të huaja dhe tw mos rritet papunësia, por përkundrazi të njohë ulje relative.

Kryeministri bëri të ditur se sipas vendimit që po përgatitet, pensionet në qytet rriten rreth 4 për qind dhe pensionet në fshat rriten me mbi 5 për qind. Gjithashtu, edhe rrogat do të rriten me një mesatare 5 për qind dhe do të ketë një shpërndarje të tyre, sipas të cilës, rrogat e larta do kenë lëvizje minimale, ndërsa të ulëtat do të kenë maksimumin e lëvizjes.

Kryeministri nënvizoi se ky nuk është një vit elektoral dhe ky vendim nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç një detyrimi të madh njerëzor dhe investimit së pari, në rroga, në burimet njerëzore dhe, së dyti, në mbështetje të pensionistëve, të cilët me gjithë këto rritje, kanë nevojë edhe për shumë e shumë më tepër.        

Duke iu referuar deklaratave të Kryetarit të opozitës për shifrën e papunësisë në Shqipëri,  në rreth milionë të papunë, Kryeministri tha se, në dallim nga deklarimet e tij, në zyrat e punësimit të Shqipërisë janë të regjistruar 145 mijë qytetarë të pa punë. “Kjo është dëshmi e përçmimit ndaj lumenjve të djersës që kanë derdhur dhe derdhin shqiptarët. Të deklarosh se ka 1 milionë të pa punë në Shqipëri, do të thotë të mos kesh as edhe njohuritë më elementare për punën dhe punësimin, do të thotë të mos njohësh numrat”, u shpreh Kryeministri.    

Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Në këtë mbledhje dëshiroj të informoj qytetarët se qeveria, Ministria e Financave, po përgatit vendimin për rritjen e rrogave dhe pensioneve, në përputhje me platformën tonë, premtimin e bërë për rritje të rrogave dhe pensioneve, rritje që prek direkt  800 mijë familje shqiptare, që ndikon dhe rrit të ardhurat mujore familjare të 800 mijë familjeve shqiptare. 

Kjo rritje bëhet në kohën më të vështirë, në një nga kulmet e krizës së euros, krizës së borxheve, të cilat në mënyrë të padiskutueshme, kanë ndikuar dhe ndikojnë edhe në ekonominë shqiptare. Por, siç fakton Komisioni Evropian, në raportin e tij të fundit, rritja ekonomike në Shqipëri, natyrisht nuk ka ritmet e viteve 2006- 2008, por rritja ekonomike në Shqipëri, thekson raporti, në katër vitet e fundit kulmore të krizës, është 4 herë më e madhe se mesatarja e rajonit. Sipas KE-së, rritja mesatare e rajonit tonë në këto katër vitet e fundit ka qenë 0.8 për qind, rritja mesatare e ekonomisë shqiptare ka qenë mbi 3 për qind. Pra, rritja mesatare në Shqipëri ka qenë 4 herë më e madhe sesa rritja e rajonit. Kjo statistikë është statistikë e Komisionit Evropian. Kjo statistikë fakton se Shqipëria kryeson, jo me 1 apo 2 herë,  por me 4 herë mesataren e rritjes ekonomike në rajonin tonë, i ndikuar qartësisht nga zhvillimet ekonomike në disa prej vendeve të rajonit që përjetojnë recension dhe krizë serioze.

Por, në rrafshin tjetër, në rast se rritja ekonomike ka qenë 4 herë më e madhe sesa mesatarja e rajonit dhe 5 vitet e fundit të marra së bashku ajo ka qenë 22 për qind, më e larta në Evropë, inflacioni në Shqipëri ka qenë 2 herë më i ulët sesa në mesataren e rajonit. Natyrisht, ekonomia shqiptare i ka ndier dhe i ndien pasojat e kësaj krize të thellë, por e vërteta është se kjo ekonomi ka bërë të mundur që, nga viti 2009 deri në vitin 2011, eksportet shqiptare të dyfishohen, në vëllim e në vlerë, të dyfishohen në punësim.

Po kështu, kjo ekonomi ka mbetur ekonomia e vetme në rajon në të cilën investimet e huaja janë të rritje, në krahasim me mesataren e 4 viteve, në një kohë kur në vendet e tjera ato u ulën ndjeshëm.

Shqipëria i ka ndier në mënyrë të padiskutueshme pasojat e krizës, por modeli i saj ekonomik është faktuar si modeli më i qëndrueshëm ndaj krizës dhe ka bërë të mundur që të mbahet rritja ekonomike, të dyfishohen eksportet, të thithen investime të huaja, ka bërë të mundur që papunësia të mos rritet por përkundrazi të njohë ulje relative.

Megjithatë, edhe njëherë dua të ndalem në qarkullimi i statistikës së njeriut që urrente kombin e vet, i cili u deklaroi të huajve se shqiptarët janë 1 milionë hajdutë, 1 milionë spiunë, 1 milionë të papunë, për t’i denigruar dhe depersonalizuar ata, sepse regjimi i tij dhe diktatura hoxhiste bëri që, si kurrë ndonjëherë në historinë e tyre, në kohëra lirie, ata të braktisin masivisht vendin e shkatërruar dhe, në  katastrofë të plotë nga regjimi, të dynden drejt vendeve fqinjë për një jetë më të mirë. Pasi kishte rrënuar çdo gjë me hiperkolektivizmin total, ai do të deklaronte se këta që ikin jashtë vendit janë 1 milionë hajdutë, një milionë spiunë,  milionë të papunë. Sot këtë statistikë e ka marrë kreu i Partisë Socialiste dhe e qarkullon prej një viti, nga tribuna në tribunë, nga platforma në platformë, si dëshmi e përçmimit ndaj lumenjve të djersës që kanë derdhur dhe derdhin shqiptarët. Të deklarosh se ka 1 milionë të pa punë në Shqipëri, do të thotë të mos kesh as edhe njohuritë më elementare për punën dhe punësimin, do të thotë të mos njohësh numrat. E theksoj edhe njëherë se të krijohet përshtypja se ky zotëri ka mbetur në stadin e bojërave dhe ngjyrave. Por nuk është e vërtetë, këto ai i deklaron për qëllime propagandistike, për interesa të veta.

Statistikat janë të tilla; Shqipëria ka 560 mijë pensionistë. Deri para disa vitesh, drejtor të këtij institucioni ka pasur nënkryetarin e tij z. Beqja. Le ta pyesë atë se sa pensionistë ka pasur vendi. Shqipëria ka pasur 700 mijë nxënës. Nuk ka më aq, por ka 670 mijë, pasi lindjet ulen. Por të gjithë këta janë në shkolla dhe në, statistikën e botës, nuk konsiderohen të papunë shkollarët. Zotëria nuk njeh strukturat e grupmoshave, sepse po t’i njohë ato nuk do bënte kurrë një deklaratë të tillë. Grupmoshat e viteve të para po zvogëlohen, por është rritur shumë numri i studentëve. Ka pasur 52 mijë studentë tani ka 140 mijë studentë. Shqipëria ka një lindshmëri nga 45-50 mijë në vit. Këta vogëlushë, nga 1 në 6 vjeç shkojnë në kopshte dhe jo në shkolla. Edhe këta ai i quan të papunë, sepse duhet të plotësojë 1 milionëshin. Por krahas këtyre, në Shqipëri, si në çdo vend tjetër të botës, ka qindra e mijëra familje në të cilën njëri bashkëshort punon për të krijuar të ardhura, pasi ka mundësi të krijojë të ardhura, ndërsa bashkëshorti tjetër u përkushtohet problemeve të tjera në familje dhe jo një pune konkrete, veçanërisht kjo ndodh me gratë, të cilat unë sërish i inkurajoj të mos heqin kurrë dorë nga karriera. Por ky fenomen ndodh edhe në vendet më të zhvilluara të boyës, ndodh kudo.

Çdo vend i lirë ka një sistem për regjistrimin e të papunëve dhe ky sistem bazohet në deklarimin që bën qytetari në zyrat e punësimit. Me këtë status, ky qytetar apo kjo qytetare përfitojnë dy gjëra; së pari një mbështetje ekonomike të domosdoshme për përballimin me shumë vështirësi e dhimbje të jetës së përditshme, së dyti, bën disponibël statistikat për sipërmarrje të ndryshme apo për vende të ndryshme pune që hapen, në mënyrë që të gjejnë vende pune. Në dallim nga deklarimet e tij, në zyrat e punësimit të Shqipërisë janë të regjistruar 145 mijë qytetarë. Sipas kreut të PS-së tani na del se nuk janë kaq. Nëse ti shpërndan marrëzira të tilla në publik, sigurisht që është detyrë jo vetëm e qeverisë, por e të gjithë faktorëve të shoqërisë, të mbrojnë shoqërinë nga megamashtrimet. Sipas statistikës së tij, na rezulton se në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër të botës, 855 mijë qytetarë nuk shkojnë për t’u regjistruar në zyrat e punësimit dhe refuzojnë të marrin atë mbështetje ekonomike që u takon të papunëve. Këtë mund ta besojë vetëm fabrika e mashtrimit që i rrethon, 2 njerëz të cilët kurrë nuk morën dot asnjë diplomë, sepse lindën dhe vazhdojnë të mbeten “nastradinë” të pakorrigjueshëm.  A e dini se çfarë u thanë njerëzit e tij, në debatin e fundit televizive, bashkëbiseduesve tanë?; “I themi kryetarit që kjo është një marrëzi, por ai vazhdon me kokën e tij dhe nuk na dëgjon”. Mos harroni se aty ka skenë dhe prapaskenë. Futen edhe reklama gjatë emisionit dhe biseda bëhet më e lirë.

Kjo ekonomi, e cila nuk është se po fluturon, pasi ka një krizë të thellë të euros, të borxheve, psh; ka një rënie të ri-eksporteve për në Itali. Kompanitë italiane që prodhojnë në Shqipëri mallra të cilësive më të larta, i prodhojnë për tregun e madh italian dhe aty fuqia blerëse është tashmë e reduktuar për shkak të krizës. Por nëse ka pasur një rënie të eksporteve në ri-eksport, muaji i fundit ka shënuar një rritje me 40 për qind të eksporteve shqiptare. Pra, nuk është se nuk ka pasoja, por ka edhe zhvillime të cilat dëshmojnë se modeli funksionon.

Gjithashtu, kreu i opozitës merret me çështjen e taksave. Unë e kisha atë dyshim, por me emisionin e mbrëmshëm televiziv doli se “ku fle lepuri”, sepse të marrësh e t’u nxjerrësh tezat e Enver Hoxhës qytetarëve sot, është absurditeti më i madh dhe të bërtasësh se infermierja paguan 30 herë më shumë taksa se Kryeministri, nuk bën gjë tjetër vetëm se mashtron 30 herë. Këtë nuk mund ta thotë kurrë një njeri serioz, nuk mund ta thotë kurrë një njëri që ka qoftë edhe njohuritë më minimale për një  sistem fiskal. Po zotëri, ne kemi një sistem fiskal proporcional, në të cilin ai që merr 300 paguan 30, ai që merr 3 mijë paguan 300, ai që merr 30 mijë paguan 3 mijë. Ky është sistemi ynë.

Çfarë solli ky sistem? Dua ta bëj këtë sqarim meqenëse z. Rama ka ndërmarrë një fushatë mashtrimesh të paimagjinueshme. Në qoftë se në 2004, me sistemin progresiv, të ardhurat tatime e dogana dhe kontribute, ishin gjithsej 130 miliardë lekë, në këtë sistem proporcional, ku paguhet shumë më pak, të ardhurat nga tatimet e doganat e kontributet e sigurimeve shoqërore, janë mbledhur 288  miliardë. Zotëria nuk dëshiron të bëjmë krahasime me vitet e qeverisjes socialiste – se Fatos Nanon kur i intereson e shpall “Mbretin Zog”, kur nuk i intereson, e çon te emisioni i Sokol Ballës e i thotë hapja dritaren, - pra ai thotë që mos bëni krahasime me atë periudhë se nuk ka qenë PS në pushtet, se po bëni krahasime si me vitin 38. Jo zotëri, ne po bëjmë krahasime me vitin më të mirë të qeverisjes socialiste dhe viti 2004, më i miri i qeverisjes së tij, ka pasur 130 miliardë të ardhura nga tatimet e doganat e kontributet. Po ta mbledhim e ta shumëzojmë këtë me 6 apo 7 vitet në vazhdim, duke hequr edhe vitin 2005 që e kemi qeverisje të përbashkët, na dalin  8.5 miliardë të ardhura të mbledhura më shumë. Por nga erdhën këto para me të cilat ne ndërmorëm të gjitha këto programe?. Këto nuk erdhën nga qielli.

Ai shtron si problem madhor faktin që është zgjeruar baza e taksapagesës. Me taksën që paguan, çdo qytetar bëhet aksioner në shtetin e tij, në vendin e tij. Nuk ka meritë më të madhe, nuk ka zhvillim më pozitiv, sesa zgjerimi i bazës fiskale dhe sa më e gjerë të jetë baza fiskale, aq më i drejtë dhe më i ndershëm është sistemi fiskal i këtij vendi. Zotëria ka marrë përsipër të eliminojë kapitalistët dhe i krahason ata me Warren Buffett, por Warren Buffett ka buxhetin 4 herë sa GDP-ja e Shqipërisë dhe ai është një kollos i biznesit dhe është produkt i një zhvillimi 200 vjeçar i tregut të lirë në SHBA. Pra, zotit Rama i duket Koçua dhe Fideli si Warren Buffett.

Por le të kthehemi te rrogat dhe pensionet sepse ato janë më me interes. Unë thjesht u ndala gjatë këtu, sepse vë re që ia ka mbetur në stadin ngjyrave.

Rrogat do të rriten me një mesatare 5 për qind. Natyrisht, rrogat e larta mund të mos rriten fare ose do rriten 1 për qind. Rrogat më të ulëta do të proporcionohen siç është drejtimi themelor që ne kemi. Por dua të informoj shqiptarët se ky drejtim ka qenë shumë i drejtë, shumë njerëzor dhe ne kemi vendosur  një standard të qytetëruar dhe absolutisht perëndimor në diferencën midis rrogës së punonjësit dhe rrogës së zyrtarëve më të lartë.

Në qoftë se në vitin 2005, Kryeministri i vendit merrte rrogën e barabartë me rrogat e 13 infermierëve, në 1 korrik të vitit 2012 kjo do të zbresë në 6.2 rroga infermierësh. Kjo për sa i përket krahasimit me rrogën e Kryeministri. Ndërsa për rrogën e ministrit, në vitin 2005, ky raport ishte 1 me 10 rroga të  infermierëve, ndërsa tani në vitin 2012, ky raport me rrogën e infermierëve, zbret në 1 me 4.7. Edhe ministri ka lodhjen e vet e shpenzimet e veta, por edhe infermierja ka lodhjen e vet, ka shpenzimet e veta, ka fëmijët e vet dhe i duhet të përballojë një jetesë. Sigurisht, infermierët meritojnë shumë më shumë se kaq, por me këtë është realizuar një objektiv nga më njerëzorët, nga më të rëndësishmit, nga më të qytetëruarit. Diferencat e mëdha kanë qenë tipike të sistemeve totalitare, që i çoi në maksimum Brezhnjevi dhe ato u shpërndanë kudo.  Ky është realiteti.

 Tani le të shikojmë këto rritje në shifra konkrete:

·        Paga mesatare e arsimtarit në sistemin arsimor të mesëm do të rritet në 588 mije e 29 leke (pesëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e njëzet e nëntë lekë).

Ajo ka qenë në vitin 2005, gjithsej 268 mije e 31 lekë (dyqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e tridhjetë e një lekë) Pra, është rritur gjatë kësaj periudhe me 2.2 herë.  Në këtë pikë, z. Rama thotë që është rritur paga, por është rritur dhe taksa, gjë që nuk është e vërtetë. Megjithatë, le ta marrim të mirëqenë se në vitin 2005 paskan paguar 0 taksë, gjë që nuk është e vërtetë dhe le të bëjmë krahasimin; në vitin 2012 arsimtari paguan 10 për qind, çka do të thotë që paguan 58 mijë lekë dhe i mbeten 530 mijë lekë në xhep. Pra i mbeten sërish dy herë më shumë. Cili është më i vlerësuar, më i mbështetur, më i nderuar: ai që paguhej me 268 mijë lekë (dhe sërish paguante taksë), apo ai që merr sot 588 mijë lekë dhe paguan 10 për qind të kësaj shume taksa dhe që i mbeten serish 530 mijë lekë?!  Kjo është beteja me ”mullinjtë e erës” që bën zotëria e tij me taksën proporcionale. Arsimtarët paguajnë taksë sot, por pa taksën proporcionale, kjo rritje rrogash do të mund të kishte dashur edhe 25 -30 vjet për t’u arritur. Le të gjejnë ata qoftë dhe një vend tjetër të vetëm që, në një hark kohor të tillë të shkurtër, ka arritur të rrisë rrogat në këtë mënyrë. Kjo është bërë e mundur nga zhvillimi i gjithanshëm i ekonomisë, por absolutisht arsyeja më kryesore, në vlerësimin tim, ka qenë taksa e sheshtë.

·        Pagesa mesatare e arsimtarit në arsimin 9 vjeçar do të jetë 500 mije e 190 lekë (pesëqind mijë e njëqind e nëntëdhjetë lekë). Krahasuar me vitin 2005, ajo ka qenë 227 mije e 71 lekë (dyqind e njëzet e shtatë mijë e shtatëdhjetë e një lekë) dhe bëhet 500 mije e 190 lekë (pesëqind mijë e njëqind e nëntëdhjetë lekë). Edhe kësaj kategorie të arsimtarëve i takon të paguajë 50 mijë lekë të vjetra taksë, por sërish i mbeten 450 mijë lekë (katërqind e pesëdhjetë mijë) në xhep. Pra, i mbeten 2 herë më shumë se sa merrte në vitin 2005. Kjo është politika jonë e rritjes së rrogave.

 ·        Pagat e mjekëve: Paga e mjekut do të rritet në 575 mijë e 530 lekë (pesëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e tridhjetë lekë). Paga e tij, në vitin 2005 ka qenë 226 mije e 830 leke (dyqind e njëzet e gjashtë mijë e tetëqind e tridhjetë lekë). Pra, ka një rritje prej 2.5 herë krahasuar me vitin 2005. Sipas zotit Rama, duhet  të deklarojmë se zgjerimi i bazës fiskale qenka padrejtësi madhore shoqërore. Por jo, zgjerimi i bazës fiskale është një nga parimet më të ndershme të një shoqërie e cila kërkon të ketë kontributet  e veta në zhvillimin e vendit.

 ·        Paga mesatare e infermierit ka qenë 150 mijë lekë (njëqind e pesëdhjetë mijë lekë) Në vitin 2012 kjo pagë bëhet 367 mije e 250 lekë, (treqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e dyqind e pesëdhjetë lekë). Rritet pra 2.4 herë, krahasuar me vitin 2005.

Unë ju njoha dhe me raportin e pagave midis zyrtarëve të lartë dhe zyrtarëve të ulët. Mund t’ju njoh edhe me ndonjë përqindje tjetër. Mjekëve u është rritur rroga me 146 për qind, infermierëve 132 për qind, ministrit vetëm me 15 për qind, nga 2006 e deri tani të marra së bashku. Këto janë disa nga të dhënat.

Gjithashtu, edhe pensionet do të kenë rritje. Me gjithë disa insistime të bazuara ndërkombëtare që kërkojnë të mos rrisim pensionet, ne sërish mendojmë se pensionistët shqiptarë, të cilët kanë një të kaluar pune jashtëzakonisht të vështirë, njerëz që kanë shkrirë energjitë e tyre në kushtet më të vështira të punës, por pothuajse edhe në një mjerim të vërtetë ekonomik,  njerëz që kanë punuar në kooperativat bujqësore, shumë prej tyre edhe me 10 deri në 30 lekë të vjetra në ditë dhe kur kooperativa dilte me humbje, u kërkonte t’ua kthenin edhe atë 10 lekësh, qe nuk u dilte as per buken e misrit. Pra, në këto kushte, ne kemi vendosur të rrisim pensionet, sepse gjykojmë se me gjithë vështirësitë që ekzistojnë, kjo rritje është një detyrim ndaj tyre. Sugjerimet kanë qenë që të mos rriten, por vetëm të indeksohen me  inflacionin, ndërkohë që në shumë vende po ndiqet praktika e uljes së tyre. Megjithatë, ne do t’i rrisim pensionet. Të ardhurat pensionale minimale, që në vitin 2005 kanë qenë 8 mijë e 350 lekë (tetëmijë e treqind e pesëdhjetë) , në korrik të vitit 2012 do të jenë 13 mije e 656 lekë (trembëdhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e gjashtë), pra në harkun kohor 2005-2012 është një rritje prej 64 për qind. Ka një rritje pak më të ulët të të ardhurave maksimale pensionale, të cilat nga 162 mijë lekë (njëqind e gjashtëdhjetë e dy  mijë), në korrik të vitit 2012 ato rriten me 235 mijë e 12 lekë (dyqind e tridhjetë e pesë mijë e dymbëdhjetë lekë).

Pensionet rurale kanë qenë qesharake, ku ata merrnin të ardhura pensionale gjithsej 3 mijë e 630 lekë. Me rritjen që bëhet, në korrik 2012, ata do të marrin 8 mijë e 731 lekë, apo një rritje 140 për qind, krahasuar me vitin 2005.

Kjo lëvizje e fuqishme që ne bëjmë, dëshmon atë ndjeshmëri që kemi ndaj moshës së pensionistëve. Po të krahasojmë apo të përfshjmë këtu edhe rimbursimin e barnave, për të cilin nga 5 miliardë, sot është 25 miliardë fatura përkatëse, besojmë se edhe kjo ka qenë një mbështetje e madhe. Kjo është shifër për të gjithë popullsinë, por para së gjithash për të moshë e cila merr më shumë ilaçe dhe në tërësi ilaçet e asaj moshe janë të përfshira në ilaçet e rimbursueshme.

·        Pensionet ne qytet rriten rreth 4 për qind dhe pensionet në fshat rriten mbi 5 për qind.

Gjithashtu, edhe rrogat në shifrat që unë përmenda më lartë. Pra, do ketë një shpërndarje të rrogave, ku rrogat e larta do kenë lëvizje minimale, ndërsa të ulëtat do të kenë maksimumin e lëvizjes..

Këto ishin disa nga të dhënat mbi lëvizjen e fundit të rrogave dhe pensioneve. Ka pasur debate me partnerët tanë, institucionet ndërkombëtare mbi këtë lëvizje, por ne kemi mbajtur një politikë konstante për këtë gjë. Ky nuk është një vit elektoral, pra nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç një detyrimi të madh njerëzor dhe investimi, së pari, në rroga, në burimet njerëzore dhe, së dyti, në mbështetje të pensionistëve, të cilët me gjithë këto rritje, kanë nevojë edhe për shumë e shumë më tepër. Faleminderit”.        


16/05/2012

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave